Dënohet me 1 vit burg dhe 300 euro për grabitje

Kronikë e zezë

Dënohet me 1 vit burg dhe 300 euro për grabitje

Më: 1 prill 2015 Në ora: 16:01

Kryetari trupit gjykues Ibrahim Idrizi - Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sot e mërkurë më 1 prill 2015, shpalli aktgjykim ndaj të akuzuarës M.K. nga Prishtina për kryerjen e veprës penale grabitja nga neni 329 par.1 të KPRK-së dhe të njëjtës i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje 1 (një) viti dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 (treqind) euro.

Ndryshe e akuzuara M.K nga Prishtina, akuzohet se me datë 02.02.2015, rreth orës 14:10, në rrugën “Reçaku” në Ferizaj, respektivisht në ndërtesën “Rubin Invest” ka hyrë në banesën e të dëmtuarës F.G. e moshës së shtyrë, rreth 72 vjeçare, me arsyetim se banon një kat më lart dhe se është shoqe e vajzës së të dëmtuarës, duke u paraqitur si shtetase turke në atë mënyrë që me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të personit tjetër dhe me qëllim që vetit ti sjell dobi të kundërligjshme pasurore, e kap dorën e të dëmtuarës në gishtin e së cilës kishte një unazë ari dhe tenton të ia heq unazën, e kur e dëmtuara dyshon se tani e akuzuara mund të jetë person që merret me vjedhje, në atë moment e akuzuara ia tërheq me forcë vathin nga veshi i djathë të dëmtuarës dhe në këtë mënyrë largohet nga vendi i ngjarjes, vathin e shet në një artari në Prishtinë në vlerë prej 10 (dhjetë) euro, me çka ka kryer veprën penale grabitja nga neni 329 par.1 të KPK-së.

Në dënimin e shqiptuar me burgim të akuzuarës M.K, i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 04.02.2015, deri sa aktgjykimi të marr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar në aktgjykimin e datës 1 prill 2015.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat