Synonin Anglinë, vdesin 2 emigrantë shqiptarë

Kronikë e zezë

Synonin Anglinë, vdesin 2 emigrantë shqiptarë

Më: 26 mars 2015 Në ora: 16:07

Dy emigrantë shqiptarë të paligjshëm kanë vdekur pasi janë hedhur nga një anije, e cila po i deportonte ata nga Britania e Madhe në Holandë.

Leonard Isufaj, 27 vjeç dhe Artur Doda, 24 vjeç, u hodhën në ujë dhe u përpoqën që të notonin përgjatë bregut, ndërsa anija u largua nga porti i Harwich, disa orë pasi ata ishin futur në mënyrë të paligjshme në shtetin britanik.

Oficerët e Policisë Kufitare kishin zbuluar se shtetasit shqiptarë ishin fshehur në një kamion, kur ky i fundit mbërriti në Harwich nga qyteti-port, Hook në Holandë në orët e para të mëngjesit të 26 shkurtit të vitit të shkuar.

Ata u kthyen në Hollandë me tragetin Stena Britannica, e cila u nis nga Harwich në orën 9:00 të mëngjesit, po atë ditë. Të dy u hodhën nga varka në përpjekje për të arritur pikën Landguard në brigjet britanike, e cila nuk ishte më larg se 500 metra.

Trupi i Isufajt u gjet në brigjet e Felixstowe në 20 mars të vitit të shkuar, ndërsa trupi i Dodës u gjet në Detin e Veriut, pranë Harwich në 29 prill.

Ekzaminimi mjeko-ligjor tregoi se Doda ishte prerë në stomak dhe kishte plagë në kurriz, të cilat mund të jenë shkaktuar nga helikat e anijes. Isufaj ishte mbytur.

Mjekja ligjore e Eseksit, Eleanor McGann deklaroi sot se vdekja e tyre ishte aksidentale, duke shtuar se nga të dhënat sugjerohet se ata po përpiqeshin të ktheheshin në Britani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat