Elbasan, shpërthim në një lokal, nuk dihen motivet

Kronikë e zezë

Elbasan, shpërthim në një lokal, nuk dihen motivet

Më: 25 mars 2015 Në ora: 18:03

Persona të paidentifikuar kanë shpërthyer me lëndë plasëse një lokal në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, në lagjen “11 Nëntori”, në biznesin e 60-vjeçarit, N.D. Burime nga policia bëjnë me dije se nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale.

Më konkretisht janë dëmtuar dy frigoriferë dhe pjesa e murit, në të cilin është vendosur lënda plasëse. Shpërthimi ka shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët njoftuan policinë. Në skenën e krimit shkuan forca të shumta të policisë, të cilët nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se ekspertët e kriminalistikës kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy fitila zjarr përcjellës. Pronari i lokalit është marrë në pyetje nga ana e grupit hetimor. Pasi ka dhënë dëshminë, policia po punon për përcaktimin e motivit të vendosjes së lëndës plasëse në objekt. Ende nuk ka një person të dyshuar nga ana e uniformave blu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat