Kishte 7 milionë lekë borxh për dritat, vret veten babai i 4 fëmijëve

Kronikë e zezë

Kishte 7 milionë lekë borxh për dritat, vret veten babai i 4 fëmijëve

Më: 4 mars 2015 Në ora: 17:42

Borxhet për faturat e energjisë elektrike kanë shkaktuar një tjetër viktimë në Lezhë, ku babai i katër fëmijëve, invalid prej dhjetë vjetësh, nuk e ka përballuar presionin për të paguar rreth 7 mijë dollarë për OSHEE-në, e cila, i kishte ndërprerë energjinë elektrike. Gjovalin Lazri, 53 vjeç, nga fshati Tale mësohet se ka helmuar veten, duke pirë fostoksinë, vetëm pak çaste pasi kishte rilidhur energjinë elektrike dhe është gjetur në gramat e fundit të jetës nga i biri dhe e shoqja.

Vetëvrasja në shtëpi

Familjarët kanë treguar se ai kishte rreth 7 milionë lekë (të vjetra) pa paguar, kështu që pak para se t’i jepte fund jetës ishte shprehur që nuk kishte me çfarë t’i paguante këto para. Në kushte tejet të vështira, ai e ka pasur të pamundur që të paguajë faturat e energjisë elektrike dhe familjarët thonë që kishte kohë që pretendonte se zgjidhje për gjendjen në të cilën ishte, për të ishte vetëvrasja.

Energjia elektrike ishte ndërprerë prej dy javësh në familjen Lazri, pavarësisht se brenda barakës, ku ata jetonin, konsumohej vetëm nga një llambë dhe një pompë uji, gjë që të bën të dyshosh sesi një familje mund të konsumojë kaq shumë energji, pa pasur elektroshtëpiake apo orendi të tjera. Por, ai ishte shprehur se energjia i duhet për të jetuar, megjithëse nuk do të pranonte të shkonte në burg. Kështu ka ndodhur edhe të hënën, rreth orës 19:00, pak para se ai t’i jepte fund jetës brenda shtëpisë modeste, ku ka ndërruar jetë brenda pak minutash. Në atë kohë, ai kishte rilidhur energjinë elektrike, duke u shprehur se do ta mbante sa të hanin bukë dhe të mbushnin ujë, por vetëm pak minuta më vonë, është gjetur nga i biri, duke dhënë shpirt, pasi kishte konsumuar fostoksinë. E shoqja, e lajmëruar nga djali, ka tentuar t’i japë ndihmën e parë, por brenda pak minutash, ai ka ndërruar jetë në krahët e saj.

Familja e viktimës

ë afërm të familjes u shprehën se shkaktarët për këtë fatkeqësi ka qenë ndërprerja energjisë elektrike, duke e shtyrë babanë e katër fëmijëve në vetëflijim. Akuza e tyre i drejtohet direkt Kryeministrit Rama, sipas të cilëve, ai po vret çdo ditë njerëz dhe si i tillë duhet të largohet sa më parë. “Unë kam folur në telefon çdo ditë me Gjovalinin dhe një ditë më parë, më tha se do t’i jepte fund jetës, pasi nuk kishte zgjidhje tjetër. Ai më shpjegoi se nuk po gjente zgjidhje të mbante fëmijët me bukë dhe jo më të paguante 7 milionë lekë energji. Kjo familje jeton në një varfëri të madhe, madje edhe vendin ku e kanë ngritur këtë barake, ka qenë i një banori tjetër, i cili ua ka falur. Si mund të mbahet një familje me gjashtë pjesëtarë me vetëm 5 mijë lekë të reja të ardhura në ditë e të përballonte faturat e energjisë elektrike, të cilat ishin akumuluar prej vitesh tashmë”, është shprehur një nga kushërinjtë e viktimës. Po ashtu, Martin Doda, i afërm tjetër i 53-vjeçarit, tha se gjendja për të gjithë është bërë e mjerueshme dhe për këtë, bëjnë fajtor vetëm shtetin. “Votuam që të dalim nga mjerimi. Ky është një shtet policor i fostoksinës dhe i kriminelëve dhe kësaj situate duhet t’i jepet një zgjidhje. Gjovalin Lazri, të vetmen ndihmesë që mund t’i jepte familjes së tij, duke qenë invalid prej 10 vitesh, ishte KEMP-i prej 9 mijë lekësh që merrte dhe i vetmi person që punon është bashkëshortja, por edhe ajo merr vetëm 5 mijë lekë të vjetra në një fabrikë peshku”, rrëfen Doda për ngjarjen e rëndë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat