Pranga gjermanes që u rrëmbye në Tiranë, kërkohej për 3 krime

Kronikë e zezë

Pranga gjermanes që u rrëmbye në Tiranë, kërkohej për 3 krime

Më: 4 mars 2015 Në ora: 17:39

Dy ditë pas “aventurës” së rrëmbimit nga i dashuri nga Kosova, shtetasja gjermane është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi kërkohej në vendin e saj për 3 vepra penale. Pas verifikimeve nga ana e uniformave blu të policisë rezultoi se 26-vjeçarja Katerina Erekter ishte e kërkuar nga Interpoli në Gjermani për veprat penale “Mashtrim”, “Goditje” dhe “Keqtrajtim”, të parashikuara nga Kodi Penal Gjerman. Erekter u rrëmbye më 1 mars në një lokal në Unazën e Madhe, nga 49-vjeçari nga Kosova, Hamdi Berisha, i cili nuk e kishte për herë të parë pengmarrjen e saj. Edhe tetorin e vitit të kaluar, ai e kishte rrëmbyer, ndërsa kësaj radhe arsyeja e marrjes peng ishte se e dashura kishte nisur një lidhje tjetër, fakt të cilin Berisha nuk e pranonte. Tashmë shtetasja gjermane do të ekstradohet në Gjermani, ku do t’u dorëzohet autoriteteve policore, që e kishin shpallur në kërkim.

Rrëmbimi i parë

Saga e pengmarrjes së 26-vjeçares gjermane nga ish-dashuri i saj nga Kosova, e ka zanafillën në muajin tetor të vitit të kaluar, kohë në të cilën çifti është ndarë. Shkak ishin bërë grindjet e herëpashershme gjatë lidhjes së tyre 7-vjeçare. Kështu, Katerina Erekter është rrëmbyer nga 49-vjeçari Hamdi Berisha në tetor të 2014-s, ngjarje kjo e ndodhur në Rrugën e Elbasanit. Asokohe, shtetasi i Kosovës ishte arrestuar në pikën kufitare, në tentativë për t’u larguar bashkë me gjermanen drejt Kosovës. Por me sa duket ishin pikërisht deklarimet e gjermanes ato që e shpëtuan nga shqiptari nga Kosova, pasi 26-vjeçarja u tha oficerëve të policisë se kishte shkuar me dëshirë dhe se shtetasi i Kosovës Berisha nuk kishte ushtruar dhunë ndaj saj. Çështja u mbyll me aq dhe prej asaj kohe shtetasja gjermane ka qëndruar në ambientet e hotelit, në pronësi të shtetasit të Kosovës. Kohët e fundit ajo kishte nisur një lidhje dashurie me një tjetër person.

Rrëmbimi i dytë

Këtë të diel, më 1 mars, rreth orës 19:30, në një lokal që ndodhet në Unazën e Re, 26-vjeçarja gjermane u mor me forcë në makinë nga ish i dashuri dhe dy shokë të tij. Pas sinjalizimit nga vetë qytetarët, policia arriti ta shpëtojë dhe të vërë në pranga Hamdi Berishën me origjinë nga Kosova dhe banim në Durrës, si dhe të shpallë në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij. Katerina Erekter u gjet nga policia e kryeqytetit pak metra larg makinës tij “Hyndai”, që autorët e kishin braktisur në Vorë. Policia njofton se Berisha e ka futur ish të dashurën e tij me forcë në makinën e saj dhe më pas janë larguar për ta braktisur mjetin në afërsi të Urës së Limuthit. Policia tha zyrtarisht se më datë 1 mars 2015, u arrestua në flagrancë shtetasi nga Kosova Hamdi Berisha, 49 vjeç dhe filloi procedimi penal dhe punohet për kapjen e E.B, 27 vjeç dhe J.Ç, 20, vjeç, banues në Gjermani e Kosovë e Tiranë, pasi dyshohet se rreth orës 21.00, në rrugën “Mikel Maruli”, në ambientet e një lokali, në bashkëpunim, nën përdorimin e dhunës, i kanë hequr lirinë shtetases gjermane K. E., 26 vjeçe, banuese në Gjermani, dhe janë larguar me mjetin tip “Hyundai”, i cili u gjet i braktisur në hyrje të Vorës, dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, mësohet se shtetasja gjermane përndiqej nga ish i dashuri i saj dhe se shkak për rrëmbimin e fundit është bërë lidhja që Katerina kishte nisur në Tiranë me një shqiptar. Berisha nuk e pranonte ndarjen dhe nuk e linte të krijonte lidhje me njeri tjetër. Edhe pas këtij rrëmbimi, synimi i Hamdi Berishës ishte ta çonte sërish në Kosovë, plan i cili u parandalua nga policia.

Akuzat

Gjatë kohës së aventurave në Durrës dhe Tiranë të Shqipërisë, 26-vjeçarja ishte person në kërkim nga Gjermania. Pengmarrësi Berisha pretendon se vajza i kishte vjedhur bizhuteri të ndryshme dhe një sasi parash në hotelin e tij në Durrës, ku ai pretendon se Katerina Erekter ka qëndruar nga tetori i 2014-s deri në janar të këtij viti. Nga ana tjetër, shtetasja gjermane nuk ka e pranuar akuzën për vjedhje. Por, pas arrestimit të Berishës, policia ka arrestuar edhe gjermanen Erekter e shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane për veprën penale të “Mashtrimit”, “Goditjes” dhe “Keqtrajtimit” të parashikuara sipas kodit gjerman. Ndërkaq, mësohet se 26-vjeçarja Katerina Erekter, sipas të dhënave të policisë, ka hyrë në territorin shqiptar në rrugë ilegale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat