Arrestohet një person për kontrabandim të migrantëve

Kronikë e zezë

Arrestohet një person për kontrabandim të migrantëve

Më: 4 mars 2015 Në ora: 16:54

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar pas hetimeve të kryera për disa muaj lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, që duke bashkëvepruar në vazhdimësi merrej me kontrabandim të migrantëve për në shtetet e Bashkimit Evropian, sot me dt. 04.03.2015 në rajonin e Prishtinës ka ndërmarrë operacionin policor të koduar me emrin “ZËRI”, me ç’rast është arrestuar një i dyshuar si dhe është kontrolluar shtëpia e tij me objektet përcjellëse.

I dyshuari në bashkëpunim edhe me të dyshuar të tjerë nga Serbia, Hungaria dhe shtete tjera te BE-se kanë arritur në mënyrë të organizuar të kontrabandojnë persona nga Kosova në drejtim të Shteteve të BE-së duke përfituar nga ata në mënyrë të kundërligjshme.

Ky grup gjatë kryerjes të kësaj veprimtarie kriminale përdornin rrugët nga Kosova përmes territorit të Serbisë për në Hungari me qellim që nga aty të vazhdonin për në shtetet tjera evropiane. Për transportimin e viktimave ky grup ka përdorur mjete private të transportit si vetura, por edhe linjat e rregullta të autobusëve për në Serbi.

Çmimi për një migrant sillej nga 1600-2100 euro, varësisht destinacionit të fundit. Gjatë procesit të deritashëm të hetimeve janë identifikuar rreth 20 viktima të këtij krimi të cilët ishin mashtruar nga ky grup kriminal.
Migrantët e identifikuar i përkasin të gjitha rajoneve të Kosovës.

I dyshuari i arrestuar është: A.G, viti i lindjes. 1969 Kosovar/shqiptar.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale: 1 veturë e markës Mercedes, 2 telefona celular, 2 SIM kartela dhe Dokumente tjera.

Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.
Hetimet e këtij rasti do të vazhdojnë për të identifikuar edhe të dyshuar të tjerë të mundshëm./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat