Vajza e vetme e një oficeri policie i ka dhënë fund jetës, duke pirë një sasi të konsiderueshme ilaçesh. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Yzberisht, Tiranë kur G., Gj., 12 vjeçe u gjet në gjendje të rëndë nga fqinjët të cilët e transportuan me urgjencë drejt spitalit “Nënë Tereza”.
Mjekët konstatuan se e mitura kishte konsumuar një sasi të madhe ilaçesh. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 12-vjeçarja ndërroi jetë pak minuta më pas. Efektivët e Komisariatit të policisë nr.6, të njoftuar për vetëflijimin, nisën hetimet për të zbardhur motivet. Burime nga policia thanë se e mitura ndodhej e vetme në shtëpi kur ka pirë rreth 28 kokrra ilaçe, të cilat dyshohet se ishin valium.
“Nga hetimet e para dyshohet se vajza ka pirë valium. Ajo u gjet në gjendje të rëndë me tension të ulët. Në momentin që ka mbërritur në spital, tensioni i saj pothuajse ishte zero dhe pulset nuk i punon më. Megjithëse mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë ka qenë e kotë, pasi ilaçet e kishin bërë efektin duke vepruar në organizimin e vajzës së vogël” thanë burimet policore. Mësohet se e mitura është vajza e oficerit të policisë së Tiranës, K. Gj. dhe infermieres së spitalit “Nënë Tereza”, A.Gj., ndërsa ka edhe një vëlla, 19 vjeç.
Në kohën që ka ndodhur ngjarja, e mitura ka qenë e vetme në shtëpi, pasi prindërit e saj ndodheshin në punë. Ajo u pikas nga fqinjët të cilët e dërguan menjëherë në spital dhe njoftuan prindërit. “Policia nuk ka mundur të zbardhë ende motivet që e detyruan të miturën të konsumonte sasinë e madhe të ilaçeve për t’i bërë keq vetës. Ka qenë e pamundur marrja në pyetje e nënës së saj për shkak se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike. As babai i të ndjerës nuk është marrë në pyetje.
Oficerët e policisë kanë respektuar gjendjen e rëndë të kolegut të tyre dhe nuk kanë insistuar për marrjen e tij në pyetje, ndërsa edhe ai vetë nuk ka pranuar të flasë”-thanë burimet policore, të cilat shtuan se prindërit e nxënëses së klasës së gjashtë do të pyeten në ditën në vazhdim për të zbardhur motivet e kësaj ngjarje.