E dhunoi burri i dehur, gruaja: Ia kam falur, e ngacmova vetë

Kronikë e zezë

E dhunoi burri i dehur, gruaja: Ia kam falur, e ngacmova vetë

Më: 2 mars 2015 Në ora: 07:50

Dhuna sistematike që ushtronte ndaj bashkëshortes së tij i ka kushtuar lirinë një 49-vjeçari nga Korça. Bëhet fjalë për Përparim Firajn, i cili në gjendje të dehur ka rrahur me grushte e shkelma gruan e tij, Vjollca Firajn. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës në fshatin Pirg. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë bënë me dije se ka qenë djali i çiftit, ai që ka lajmëruar forcat e rendit. Të njëjtat burime thanë se Përparimi kishte ushtruar dhunë edhe ndaj të birit të tij 17-vjeçar, të cilin e ka goditur në qafë. Sapo mbërritën në vendin e ngjarjes, efektivët e policisë bënë të mundur arrestimin në flagrancë të 49-vjeçarit.
Ngjarja
Mbrëmjen e së shtunës, Përparim Firaj sapo ishte kthyer në banesën e tij në gjendje të dehur, është përballur me kritikat e gruas në lidhje me pijen. Teksa kanë debatuar së bashku, 49-vjeçari e ka qëlluar 39-vjeçaren me shkelma e grushte, duke i shkaktuar asaj shenja të dukshme në fytyrë dhe trup (sy të nxirë dhe plagë në shpinë e bark). Ndërkohë, burime nga grupi hetimor i çështjes bëhet e ditur se kjo nuk ka qenë hera e parë që Përparim Firaj, i cili akuzohet për veprën penale "Dhunë në familje"ushtronte dhunë ndaj gruas së tij.
Drama
Përtej sherreve të vazhdueshme mes çiftit dhe gjendjes së dehur të kryefamiljarit, drama në familjen Firaj nuk ka të sosur. Në kushte ekonomike të vështira, kjo familje përballet çdo ditë me skamjen. Në shtëpinë me 3 dhoma të familjes Firaj në Pirg, çdo gjë është e vjetër. Çatia me tjegulla të rrënuara, dhomat të palyera, divane me susta të dala jashtë e një çimento poshtë këmbëve që të fut të ftohtën në palcë. Vetë Vjollca Firaj mes lotësh, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", rrëfen situatën e vështirë ekonomike me të cilën ata përballen, që kur lanë zonën e thellë të Lavdarit, duke jetuar në fshatin fushor të Korçës, Pirg. Teksa ka treguar ngjarjen e rëndë dhe abuzimet e të shoqit ndaj saj, Vjollca ka pohuar se ia ka falur burrit veprimin e tij, pasi ishte i dehur dhe se ai mban familjen
:Edhe unë e ofendova. Se siç thotë ajo shprehja, gratë janë flokëgjata e mendjeshkurtra" thotë Vjollca.
Zonja Vjollca, si ndodhi ngjarja?
Burri erdhi i pirë në darkë. Unë në fakt, i thashë që të mos pijë, se ne nuk kemi lekë për bukë, e jo më për të pirë. Ai u nxeh me mua e filloi të më shante. Pastaj më goditi me shkelma e grushte në fytyrë. Jashtë ndodhej djali i madh, 17-vjeç që dëgjoi të ulëriturat e mia e lajmëroi policinë, se u tremb. Erdhi të na ndante, por edhe atë e goditi në qafë burri. Pastaj erdhi policia dhe e mori me vete.
A ka ushtruar më parë dhunë burri ndaj jush?
Jo, por raste kur jemi konfliktuar si ky kemi pasur. Ai është shtylla e shtëpisë. Edhe po më goditi ndonjëherë, ia kam falur. Jemi në pikë të hallit. Me një pension që marrim prej 97 mijë lekësh të vjetra dhe pak tokë që kemi nuk ia dalim dot. Varfëria e madhe e ka çuar edhe burrin drejt pijes. Pastaj edhe unë kam faj se e ngacmova kur ishte i pirë. Se siç thotë ajo shprehja gratë janë flokëgjata e mendjeshkurtra.
Burri tashmë është arrestuar. Ju çfarë do të bëni?
Unë dua që burri të dalë që nesër. Ia kam falur çdo veprim. Ai mban familjen. Dy djemtë i kemi të vegjël, e nuk ia dalim dot pa atë. Do të shkoj në polici të kërkoj që ta lirojnë që nesër (sot). Unë vetë s'kam ku të mbytem. Djemtë janë ende të vegjël.
Me se arrini të mbijetoni tjetër veç pensionit mujor?
Kemi pak tokë. Atë e mbjellim me jonxhë ose grurë, e fitojmë në vit 300 mijë lekë të vjetra. Djemtë janë të vegjël, 17 dhe 14 vjeç e duhet të shkollohen. Edhe librat kushtojnë, plus shpenzimet e tyre. Jemi në pikë të hallit. Nuk përballojmë dot bukën, e jo më të mendojmë të rregullojmë diçka të vogël në shtëpi, të jetojmë si gjithë njerëzit normalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat