Vidhnin makina dhe nuk zbuloheshin, përgjonin policinë me radio

Kronikë e zezë

Vidhnin makina dhe nuk zbuloheshin, përgjonin policinë me radio

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 08:55

Efektivët e komisariatit të policisë nr.6, organizuan një operacion të koduar “Benz C-Class”, i cili u finalizua me arrestimin e dy të rinjve të akuzuar për një sërë vjedhje automjetesh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Altin Ndoci, 27 vjeç dhe Sazan Cibaku, 28 vjeç u arrestuan dje pasi akuzohen se janë të implikuar në të paktën 10 vjedhje automjetesh të ndodhura kryesisht në Tiranë. Burime nga policia thanë se dy të rinjtë ishin të pajisur me dy radio dhënëse-marrëse me sinjale të komisariateve të policisë, të cilat i përdornin për të shpëtuar nga ndjekja e policisë. “Radiot i kemi blerë vetë’ mësohet të kenë thënë dy të arrestuarit, por policia dyshon se ata kanë bashkëpunëtorë që i kanë ndihmuar për të lidhur sinjalet e radios me ato të policisë.

“Të arrestuarit kryenin vjedhje kryesisht në zonën e Unazës së Re në Tiranë dhe mjetet që ata u vinin “syrin” ishin Benz C-Class. Pasi vidhnin automjetet, dy të rinjtë i dërgonin menjëherë në veri të vendit për të kryer çmontimin e tyre. Nga hetimet e kryera rezulton se makinat janë dërguar në servise në zonën e Laçit” thanë për “Shekulli”-n burime nga policia, duke shtuar se dy të rinjtë ishin grabitës profesionistë. Vjedhjet janë kryer gjatë vitit 2014 dhe gjatë dy muajve të fundit. “Vjedhja e fundit prej dy të arrestuarve është kryer më datë 13 shkurt në rrugën “Teodor Keko” në kryeqytet dhe makina e vjedhur ka qenë tip “Volgsvagen golf 5”, me targa AA 779 JM, në pronësi të shtetasit me iniciale E.B., ndërsa nëntë makinat e tjera të vjedhura prej tyre janë Benz C-Class”-thanë më tej burimet policore, të cilat shtuan se mekanizmi i vjedhjes, i përdorur nga dy të rinjtë ishte përmes ndezjes së mjeteve përgjatë orëve të natës.

Policia tha se ata u kapën teksa udhëtonin me automjetin tip “Citroen”, në të njëjtën rrugë ku dyshohet se më herët kanë kryer pesë vjedhje automjetesh. Bëhet fjalë për rrugën “3 Dëshmorët” në Tiranë dhe dyshohet se ata ishin përgatitur për të kryer vjedhjen e radhës pasi në momentin e kapjen në makinë iu gjetën armë zjarri, maska si dhe radio policie. “Dy të rinjtë nuk pranuan të japin shpjegime në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre. Por policia ka prova të mjaftueshme, të cilat i implikojnë ata në këto vjedhje. Në banesat e tyre u gjetën mbi 10 çelësa të automjeteve të ndryshme, të cilat janë vjedhur, maska të ndryshme me ngjyrë të zezë, tre pistoleta m-54, një pistoletë tip m- Franchi Llana, një revolver me mulli, doreza të ndryshme, jelek taktik multifunksional, tabelë dore me mbishkriminin “Ministria e Financave”, shkopinj metalikë, një valixhe e zezë me vegla, çanta sportive si dhe telefona të ndryshme celularësh dhe karta telefoni” tha policia e cila dyshon se makinat e vjedhura prej tyre janë përdorur në disa grabitje në Tiranë. Gjithashtu dy të arrestuarit dyshohet se janë autorë të disa grabitjeve të ndodhura në kryeqytet për të cilat policia po punon me qëllim dokumentimin e plotë të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat