Pranga tritolvënësve të Tahirit

Kronikë e zezë

Pranga tritolvënësve të Tahirit

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 08:54

Policia e Tiranës ekzekutoi pesë urdhër-arreste të Gjykatës së Krimeve të Rënda në lidhje me ngjarjet me tritol të ndodhura në kryeqytet mëngjesin e 10 shkurtit. Shtatë persona nga fisi Gjuta, pesë prej të cilëve u arrestuan në orën e para të mëngjesit të djeshëm, janë të dyshuarit kryesor për vendosjes e sasisë prej 400 gram tritol në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe 400 gram tritol të vendosur në stacionin e autobusit në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Lumjan (Emiljano) Matmuja, 27 vjeç, Ernest Gjuta, 24 vjeç, Kamber Bruka, 31 vjeç, Erjon Dule, 33 vjeç dhe Emirjon Gjuta, 24 vjeç u arrestuan nga policia urdhër-arresteve të lëshuara nga gjykata ndërkohë që janë shpallur në kërkim Vladimir Gjuta dhe nipi i tij Baftjar Bruka.

Burime nga policia thanë se të shtatë të dyshuarit kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Ndaj këtyre personave, Prokuroria për Krimet e Rënda ka ngritur akuzat e “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. “Nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit në bashkëpunim midis tyre në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e pajisjeve bombë të telekomanduara me celular në farmacinë e Bashkim Tahirit si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobusëve në rrugën “Muhamet Gjollesha” thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar dje nga prokuroria.

Hetimet

Telefoni i gjetur në sasinë e eksplozivit të vendosur në stacionin e autobusit, për të aktivizuar shpërthimin ka çuar grupin hetimor drejt fisit Gjuta. Kjo pasi, pronari i telefonit rezultoi të ishte i 24-vjeçarit Emirjon Gjuta. Ky i fundit u arrestua megjithëse deklaroi se telefonin e kishte shituar disa ditë para 10 shkurtit kur ndodhen ngjarjet. Grupi hetimor dyshoi se Gjuta po fshihte të vërtetën, duke mos treguar autorët e vendosjes së lëndëve plasëse në dy ngjarjet e orëve të para të 10 shkurtit. Kështu gjatë hetimeve, Prokuroria për Krimet e Rënda dhe Policia e Shtetit identifikuan dhe gjashtë persona të tjerë si autorë të dyshuar të këtyre ngjarjeve. Me vendim gjykate, forca të shumta policie zbarkuan në orët e para të ditës së djeshme në banesat e të akuzuarve, duke arrestuar pesë prej tyre ndërsa dy të tjerë mundën të largoheshin dhe aktualisht janë shpallur në kërkim.

Për grupin hetimor, i dyshuari kryesor është Vladimir Gjuta, i cili, megjithëse ndodhej në masë sigurie “arrest shtëpie” për kundërshtim të efektivëve të policisë në krye të detyrës, ka mundur të arratiset me qëllim shmangien e arrestimit të tij. Ai ndodhej nën këtë masë sigurie që prej dy muajve pasi u arrestua më 6 dhjetor dhe pasi qëndroi 20 ditë në burg u la në “arrest shtëpie”. Ndërkohë që burime nga organi i akuzës thanë se hetimet lidhin Vladimir Gjutën si i dyshuar kryesor për sulmet ndaj ministrit Tahiri pas “konflikteve” me këtë të fundit. Prokuroria bëri të ditur se Tahiri dhe Gjuta nuk kanë patur konflikte personale me njëri-tjetrin, por kontrollet policore në banesën dhe bizneset e Gjutës pas disa ngjarjeve kriminale dyshohet se kanë bërë që ai t’i japë një mesazh ministrit të Brendshëm. Mësohet se fillimisht, përplasja e parë e policisë pas ndryshimit të qeverisë ka ndodhur në prill të 2014, kur ministri i brendshëm Sajmir Tahiri u ankohet pranë presidentit për ndryshimin e masës së sigurisë për Vladimir Gjutën dhe nipin e tij, tashmë të shpallur në kërkim, Baftjar Brukën. Në atë kohë ata kanë qenë të dyshuar për tentative e vrasjes së tre personave në Kukës.

Përplasja e dytë me policinë ka ndodhur në qershor të 2014, pas vrasjes së Artan Santos. Pronarët e lokalit “Vila Gjuta” në Tiranë kanë refuzuar t’i japin policisë kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët e vrasjes. Në shtator të 2014 forcat e ndërhyrjes së shpejtë, në një aksion në zonën e ish-bllokut ndaluan dhe arrestuan tre persona, që lëviznin me mjete të blinduara. Të dy makinat u bllokuan dhe personat u shoqëruan në polici. Një prej tyre ishte Vladimir Gjuta, që më pas u lirua. Ngjarja e fundit e cila mbajti 20 ditë në qeli Gjutën për të kaluar më pas në “arrest shtëpie”, masë e cila ishte ende në fuqi ka ndodhur më datën 6 dhjetor në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, kur u arrestua pas një sherri me efektivët e policisë rrugore. Po atë ditë efektivët e tatimeve kanë bërë edhe kontrollin e biznesin nën shoqërimin e forcave të mëdha të policisë. Gjithashtu policia ka ushtruar kontrolle në banesën e Vladimir Gjutës edhe pas disa ngjarjeve kriminale të ndodhura në kryeqytet.

Avokati: Vladimir Gjuta u fsheh nga terrori policor

Avokati i Vladimir Gjutës u shpreh dje për A1 Report se ai u largua nga banesa për shkak të frikës nga terrori policor. Gjuta ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shkak se në muajin dhjetor goditi një polic rrugor që ndodhej në krye të detyrës “Gjithë fisi i Gjutës ka qenë në reprezalje të vazhdueshme të policisë, kanë bërë kontrolle pa urdhër gjykate, i kanë mbajtur makinat pa procesverbale, pa i ditur a janë polici a njerëz me maska. Terrori policor ka vazhduar ndaj fisit Gjuta. Ka qenë me arrest shtëpie nuk ka ditur gjë zotëria. Nuk kemi lidhje me shkelje të arrestit. Nga frika e terrorit policor edhe ai mund t’i jetë shmangur qëndrimit të banesës. Nuk kanë pasur shkak të shkonin 20 policë t’i bënin reprezaljen në banesë”, u shpreh Naim Gjuta, avokati i të shpallurit në kërkim. Gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes policia shoqëroi edhe Pajtim Gjutën dhe xhaxhain e tij Muhedin Gjuta, të cilët, pasi qëndruan 12 orë në qeli, u lanë të lirë. Babai i Pajtimit, Selam Gjuta u shpreh se u terrorizuan nga policia. “Më thanë kemi urdhër nga policia, por nuk dhanë asnjë shpjegim. Erdhën në mënyrë barbare. Nga terrori mu sëmur nëna, e çova në urgjencë. E gjithë familja u terrorizua” u shpreh Selam Gjuta. Burime nga policia thanë se në orët e pasdites Pajtim dhe Muhedin Gjuta u lanë të lirë. Ata u mbajtën 12 orë për verifikim dhe, pasi u morën në pyetje, ndaj tyre nuk u komunikua asnjë akuzë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat