Përdhunohet vajza me probleme mendore, lihet shtatzënë dhe lind fëmijën

Kronikë e zezë

Përdhunohet vajza me probleme mendore, lihet shtatzënë dhe lind fëmijën

Më: 31 janar 2015 Në ora: 11:00

Një vajzë 21 vjeçe, e cila është me probleme mendore, dyshohet se ka rënë pre e dhunës seksuale dhe prindërit e saj kanë arritur të zbulojnë këtë vetëm në muajin e shtatë të shtatzënisë, kur e reja ka realizuar lindje të parakohshme.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Lushnjë, ndërkohë që i ati i vajzës së dhunuar i është drejtuar menjëherë policisë për të kallëzuar rastin e rëndë. Ndërkohë, policia e ka pasur të vështirë të marrë deklarimet e 21-vjeçares që i përket komunitetit rom, pasi ajo nuk ka qenë asnjë ditë në shkollë dhe nuk e flet gjuhën shqipe.

Sipas policisë, rreth orës 20:00 të së enjtes, në sallën operative të policisë është bërë njoftimi për lindjen e një fëmije në spitalin e Lushnjës, që dyshohej se ishte fryt i një abuzimi të mundshëm seksual. Kjo, pasi 21-vjeçarja T. A. që i përket komunitetit rom, banuese në fshatin Grabian të Lushnjës, kishte sjellë në jetë një fëmijë, por kur është pyetur për atësinë e tij nuk është mundur të merret një përgjigje e saktë.

Ndërkohë, edhe e ëma e 21-vjeçares nuk ka ditur të japë ndonjë shpjegim të vlefshëm për sa i përket identitetit të babait të fëmijës. Mësohet se ajo u ka thënë mjekëve se nuk e kishin kuptuar se vajza ishte shtatzënë, por e kanë mësuar këtë gjë, kur e kanë zënë dhimbjet e lindjes. Duke qenë se 21-vjeçarja ka pasur komplikacione gjatë lindjes, ajo së bashku me fëmijën janë transportuar për një mjekim më të specializuar për në spitalin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë.

Pasi oficerë të policisë kriminale kanë mbërritur në spital nuk kanë arritur të marrin deklarime prej 21-vjeçares, pasi ajo nuk flet në gjuhën shqipe. Por, ka qenë babai i saj ai i cili ka bërë kallëzim penal ndaj një personi, duke e akuzuar atë për abuzim seksual me të bijën. Babai i 21-vjeçares ka deklaruar se vajza e tij ka të meta mendore dhe fizike. Sipas tij, kjo gjë është e dukshme edhe pse nuk është kartelizuar si e paaftë fizikisht dhe mendërisht. Denoncuesi ka shtuar se askush në familje nuk e ka ditur që e bija ishte shtatzënë.

Sipas tij, ajo është abuzuar seksualisht nga një banor i zonës, i identifikuar si B. V. Por, personi i akuzuar nga babai i 21-vjeçares e ka mohuar një gjë të tillë gjatë marrjes së deklarimeve. Ai ka pohuar se babai i vajzës e akuzonte pa të drejtë, pasi kishin pasur konflikte të mëparshme me njëri-tjetrin dhe donte të shfrytëzonte këtë gjë për t’u hakmarrë. Gjatë dhënies së deklarimeve B. V. nuk ka pranuar asnjëherë të kishte pasur marrëdhënie intime me T. A.

Pavarësisht se hetuesit kanë tentuar të marrin deklarimet e vetë 21-vjeçares, një gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi ajo komunikon vetëm në gjuhën rome dhe një gjë e tillë e ka vështirësuar marrjen e deklarimeve të saj. Për shkak se dëshmia e saj duhet të mundësohet nga një përkthyes i licencuar i gjuhës rome, një gjë e tillë ka qenë e pamundur të realizohet deri në ditën e djeshme. Duke qenë se prindërit nuk kanë qenë në dijeni të shtatzënisë së saj, paraprakisht dyshohet se babai i fëmijës mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së 21-vjeçares.

Ndërkohë, pritet që në ditët në vazhdim T. A. t’i nënshtrohet diagnostikimit psikik dhe atij fizik për të konkluduar në aftësinë e saj mendore e fizike. Burimet policore shtojnë që nëse ajo do të rezultojë e paaftë mendërisht, atëherë edhe dëshmia e saj do të ishte e pavlefshme për të konkluduar në identitetin e autorit të këtij abuzimi të dyshuar seksual. Ndërkohë, prokuroria pritet që të kërkojë krahasimin e ADN-së së fëmijës së porsalindur dhe personave të dyshuar se mund të kenë kryer marrëdhënie seksuale me të, pohojnë burimet. Mësohet se procedimi ka nisur për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të rritura jashtë dëshirës. /shqip/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat