Sherr në lokal, plagos pa dashje vëllain, kamarieri fsheh provat

Kronikë e zezë

Sherr në lokal, plagos pa dashje vëllain, kamarieri fsheh provat

Më: 30 janar 2015 Në ora: 10:18

Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim pasi pak para mesnate ka tentuar të vrasë me çifte një person pas një konflikti për motive të dobëta.

Ngjarja ndodhi në një lokal në qytetin e Lezhës, ndërsa rreth orës 05:45 policia arrestoi 34-vjeçarin Edmir Brozi (Balan) banues në Tresh të Lezhës si dhe 26-vjeçarin Arlind Jushi 26 vjeç banues në lagjen “Gurra”. Policia shpalli në kërkim 25-vjeçarin Klaudio Brozi, vëllai i 34-vjeçarit të arrestuar.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Lezhës, dy vëllezërit Brozi kanë tentuar të vrasin me armë gjahu çifte shtetasin shqiptar me inicialet E.N, duke i shkaktuar dëmtime në nofull. Por gjatë konfliktit i shpalluri në kërkim Klaudio Brozi ka qëlluar aksidentalisht me armë vëllain e tij Edmirin, duke e lënë të plagosur. Të dy të lënduarit marrin mjekim në Qendrën e Traumave në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu policia sqaroi edhe rolin e personit të dytë të arrestuar. Arlind Jushi punon banakier dhe kamerier në lokalin ku shpërtheu konflikti, dhe sipas bluve të qytetit të Lezhës ai ka fshirë e pastruar lokalin dhe nuk ka njoftuar policinë për ngjarjen. Ai është nën akuzë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat