Vdes piloti i ushtrisë në Spanjë, vjehrri: Ja çfarë na tha

Kronikë e zezë

Vdes piloti i ushtrisë në Spanjë, vjehrri: Ja çfarë na tha

Më: 30 janar 2015 Në ora: 07:54

Familja e ushtarakut Sokol Feka hapi dje dyert e mortit, sapo mësoi për vdekjen e tij në Spanjë. Në mungesë të një burri shtëpie pasi majori 41-vjeçar, ishte djalë i vetëm ndërsa babai i kishte ndërruar jetë disa vite më parë, në portën e shtëpisë qëndronte vjehrri i tij i cili priste njerëzit që vinin për ngushëllim. Për familjen është e sigurt vetëm vdekja e Sokolit ndërsa për rrethanat e ngjarjes ata nuk dinë asgjë, përveç atyre që kanë dëgjuar nëpërmjet medieve. “Kemi dëgjuar në media se Sokoli po transportonte drogë me helikopter, kur u rrëzua. Unë nuk di nëse Sokoli trafikonte drogë, por di të them se vajza ime nuk ka para për bukë. Kafet për t’ju nxjerrë njerëzve sot për mort i bleva unë” u shpreh Etem Cenaj, babai i bashkëshortes së pilotit Sokol Feka. Në një intervistë për “Shekullin”, Cenaj rrëfeu se Sokoli ishte larguar drejt Spanjës rreth 10 ditë më parë me duke i thënë bashkëshortes se po e dërgonte shteti për të rregulluar disa helikopterë të prishur.

Z. Cenaj si e mësuat ngjarjen?

Më mori gruaja në telefon në drekë dhe duke qarë më tha të shkoja shpejt tek shtëpia e vajzës, Erjolës se kishte vdekur Sokoli. Nuk po e besoja dot, pasi Sokoli ndodhej në Spanjë. Më pas vajza dhe gruaja më thanë se e kishin mësuar ngjarjen nëpërmjet medieve.

A ju kanë informuar nga Ministria e Mbrojtjes ku punonte dhëndëri juaj për rrethanat e ngjarjes?

Ne kemi të sigurt vetëm vdekjen e tij. Nuk dimë asgjë më shumë për veç atyre që janë thënë në media. Nuk ka ardhur askush nga Ministria e Mbrojtjes për të na vënë në dijeni, por i presim të vijnë në mbrëmje pasi kështu dëgjuam.

Kur dhe për çfarë arsye u largua Sokoli drejt Spanjës?

Sokoli iku në Spanjë rreth 10 ditë më parë. Ai i kishte thënë Erjolës se do e dërgonte shteti në Spanjë për të marrë pjesë në rregullimin e disa helikopterëve të prishur, pra për çështje pune. Ai kishte marrë edhe lejen e zakonshme. Para Vitit të Ri, Sokoli shkoi në Angli për specializim dhe tregoi se kishte qëndruar edhe disa ditë në Spanjë për punë.

Kur ka biseduar vajza juaj për herë të fundit me Sokolin?

Të hënën në mëngjes ka biseduar në telefon për herë të fundit. Ai i tha se do të kthehej të mërkurën por megjithatë do ta telefononte sërish në mbrëmje. Të mërkurën Erjola erdhi tek shtëpia ime e shqetësuar pasi Sokoli nuk e kishte telefonuar sërish. Për ta qetësuar i thashë të kishte durim pasi Sokoli ishte me shërbim. Ende nuk e besoj dot këtë gjë që ndodhi. Sokoli ishte djalë punëtor dhe njihej nga të gjithë si njeri i respektuar.

A kishit ngritur ndonjëherë dyshime se dhëndri juaj merrej aktivitetet të jashtëligjshme?

Kurrë. Doni t’ju them të vërtetën megjithëse është e rëndë? Vajza ime në këtë moment nuk ka lekë për të blerë bukë. Kafet për t’ju nxjerrë njerëzve sot për mort i bleva unë. Ata jetojnë me qira dhe nuk u dalin paratë për të blerë bukë. Para tre viteve vajzës sime i ka vdekur djali i vetëm 6 vjeç. Ata kanë vuajtur shumë me djalin, pasi ishte i sëmurë dhe e operuan 20 herë. Sokoli ka qenë më parë i martuar dhe ka dy fëmijë dhe një shumë prej 120 mijë lekësh të vjetra i mbahen nga rroga për fëmijët ndërsa i mbetën nga rroga për të sjellë në shtëpi rreth 370 mijë lekë të vjetra. Me këtë rrogë jetonin dhe unë gjendjen e vajzës sime e shoh me sytë e mi çdo ditë. Kushtet e vështira ekonomike të Sokolit i dinë të gjithë ata që e njohin. Nuk i di rrethanat e ngjarjes dhe nuk mund të them asgjë tani. Ne nuk kemi para për të sjellë trupin në Shqipëri, shpresojmë të na ndihmojë shteti. Nuk e dimë si do shkojë halli..

Si është vajza juaj?

Përpiqet të mbahet, ka një vajzë 5 vjeçe për të rritur. Erjola është 31-vjeçe dhe unë e kam vajzë të vetme, edhe Sokoli është djalë i vetëm. Ai ka të ëmën gjallë e cila na tha se do duronte sa të kthehet trupi i Sokolit dhe do të varroset bashkë me të. Vajzën e mori djali im pasi gjendja këtu është e rënduar. Nëna, motrat dhe vajza ime janë duke vajtuar.

Sokol Feka ndër pilotët më të mirë, 18 vite tek Forcat e Armatosura

Major Sokol Feka, 41 vjeç, ka lindur në Kuçovë dhe prej 18 vitesh është pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ai ka qenë ushtar pranë Shkollës së Aviacionit dhe më pas ka filluar studimet për pilot. Ishte në mesin e pilotëve më të mirë që kishin Forcat e Armatosura, pasi ishte trajnuar disa vite në vende të ndryshme në kuadër të Ushtrisë, ndërsa kohët e fundit kryente detyrën e instruktorit për pilotët e rinj në Repartin e Helikopterëve në Farkë. Feka ka kryer dhjetëra trajnime në vende të ndryshme. CV-ja e tij është mjaft e pasur në lidhje me trajnimet e kryera, në drejtim të cilit rezulton se kanë investuar edhe Forcat e Armatosura. Nga të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes, mësohet se Feka ka kryer me sukses të lartë trajnimin disa mujor në Itali për helikopterët. Ku më pas bashkë me 12 pilotë të tjerë të Ushtrisë ka qenë në trajnim në Mbretërinë e Bashkuar ku janë trajnuar për të fluturuar me instrumente. Pas këtij trajnimi disa mujor, Sokol Feka ishte në listën e pilotëve të trajnuar në Francë për helikopterët e rinj, “COUGAR”, ku është stërvitur për t’i pilotuar ata në kohë të ndryshme. Ndërkohë në vitin 2009 është graduar me gradën “Major” dhe kryente detyrën e instruktorit.

Flijimi në trafikun e drogës dhe skamja në shtëpi

Vdekja gjatë transportimit të një ton lënde narkotike hashash me helikopter në Spanjë dhe varfëria në familje janë dy paralele të cilat paradoksalisht takohen vetëm në familjen Feka. Kjo mund të jetë e vështirë të besohet por veç e veç të gjithë ata që e njohin nga afër Sokolin tregojnë se ai jetonte në skamje, dhe vuante për bukën e gojës megjithëse cilësohej si një nga pilotët më të mirë që kishte Ministria e Mbrojtjes. Për gjashtë vite me radhë Sokoli dhe bashkëshortja e tij Erjola vuajtën nëpër spitale për të shpëtuar djalin e tyre të vetëm. Joni vuante nga një sëmundje e rëndë që në lindje dhe për t’i shpëtuar vdekjes duroi 20 narkoza e bisturi, por gjithsesi vdekjes e përqafoi kur ai mbushi 6 vjeç. Si ushtarak ndër vite, i kalitur për të pasur zemër prej “hekuri”, Sokol Feka nuk mundi ta kapërcente dramën në banesën ku i biri ndërroi jetë. Vetëm pak ditë pas vdekjes së djalit të vetëm, ai u largua nga ajo shtëpi në të cilën jetonte me qira për t’u zhvendosur në zonën e Freskut. Ai jetoi për disa kohë në një banesë me qira në këtë zonë ndërsa rreth katër muaj më parë u transferua në një tjetër shtëpi, sërish me qira. Në këtë shtëpi e cila ndodhet në zonën ‘Misto Mame” në Tiranë, u hapën dje në mesditë dyert e mortit. “Këtu banon familja Feka, tek kjo vila katërkatëshe. Në fakt janë me qira në katin e tretë, kanë marrë dy dhoma, pasi e gjithë vila u është dhënë disa familjeve edhe ato me qira” shprehet një i afërm i pilotit 41-vjeçar, pasi sheh habinë e gazetarëve sapo mësuan se Sokoli jeton në një vilë të madhe. “Sokoli mbante gradën Major, ishte pilot i zoti, ushtarak prej më shumë se 18 vitesh, por ishte i varfër. Nëse do të kishte vdekur në çdo rrethanë tjetër, Sokoli do të nderohej, në mos do shpallej hero, por në këtë mënyrë nuk i japim dot as ne shpjegim. Familjarët po vajtojnë humbjen e tij, ndërsa të afërmit dhe miqtë janë të pikëlluar për vdekjen e parakohshme të Sokolit, dhe ende nuk mendojmë thellë për rrethanat e vdekjes së tij. Shpresoj që të zbardhet e vërteta. Nuk mund ta besojmë që Sokoli ishte i përfshirë në trafik droge” shprehet një tjetër i afërm i familjes Feka. “Sokoli ishte një pilot i zoti, ndër më të mirët që kishin Forcat e Armatosura. Ai nuk kishte marrë asnjë masë disiplinore në detyrë. Kishte një sjellje prej ushtaraku profesionist” tregoi një koleg, duke shtuar se Sokoli ka pasur një karrierë të nderuar në jetë. Por duket se mënyra e vdekjes ishte e tillë që në vend që t’i siguronte një titull nderi për të cilën familja të krenohej, i siguroi një mister për të cilin do të flitet shumë për ta zbardhur.

Shefi i Shtabit: Feka i certifikuar për fluturimet me helikopterët “Cugar”

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Jeronim Baze foli dje në mbrëmje, pas deklaratës së dhënë nga kryeministri në sallën e Kuvendit, në lidhje me rastin e pilotit të Forcave të Armatosura, majorit Sokol Feka. “Siç dhe jeni bërë me dije Ministria e Mbrojtjes është informuar në rrugë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për një ngjarje të ndodhur në Spanjë në të cilën është përfshirë edhe një shtetas shqiptar, pjesëtar i Forcave të Armatosura. Nga të dhënat paraprake, bëhet fjalë për një mjet fluturues, pa përkatësi të identifikuar, i cili dyshohet se drejtohej nga Major Sokol Feka”,- tha Baze. Sipas tij, në rrethanat e krijuara Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, e sheh me vend të sqarojë opinionin publik për atë çfarë përfaqëson major Feka dhe në ç’rrethana ka ndodhur ngjarja. “Major Feka i është bashkuar Forcave të Armatosura në vitin 1993, si student në Akademinë e Aviacionit për tu diplomuar në vitin 1996. Pas titullimit ka shërbyer si oficer aktiv në struktura të ndryshme të Forcave Ajrore duke kryer detyra si pilot, komandant ekuipazhi dhe së fundi instruktor fluturimi. Në këto detyra të kryera, ka performuar përgjithësisht mirë dhe është vlerësuar përputhmërisht me këtë performancë. Si shumë prej kolegëve të tij është vlerësuar me medalje të shërbimit dhe karrierës. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe ishte certifikuar për të pilotuar helikopterin “Cougar” - deklaroi kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ai pohoi se me kërkesën e tij, bazuar në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, Komanda e Bazës Ajrore në Farkë, kishte miratuar dhënien e një pjese të lejes së paguar vjetore për periudhën 12- 31 janar 2015. Më tej sipas Bazes, në asnjë rast nuk rezulton që major Feka të ketë kërkuar që një pjesë apo të gjithë lejen ta kryejë jashtë vendit, ashtu siç dhe parashikon Ligji për Statusin e Ushtarakut. “Bazuar në informacionin e marrë nga agjencitë e specializuara për lëvizjen e shtetasve jashtë kufijve të vendit, rezulton që shtetasi Feka të jetë larguar jashtë shtetit pa lejen e autoriteteve përkatëse dhe për më tepër të jetë përfshirë në një veprimtari të paligjshme, e cila i ka kushtuar edhe jetën. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe agjencive të specializuara, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Shtabi i Përgjithshëm i FA është i angazhuar në mbledhjen e informacionit shterues dhe analizimin e plotë dhe të gjithanshëm të tij”., përfundoi deklaratën e tij numri një i Ushtrisë Shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat