Kokaina, një ish-zyrtar vihet nën hetim

Kronikë e zezë

Kokaina, një ish-zyrtar vihet nën hetim

Më: 29 janar 2015 Në ora: 19:58

Prokuroria ka nisur verifikimet për një ish-zyrtar në qarkun e Beratit, i cili rezulton të ketë komunikuar me Ilir Hysenin një nga të arrestuarit e laboratorit të drogës në Xibrakë.

Hetuesit thanë se nga përgjimet gjatë kohës që ka qenë në Gjermani, Hyseni ka telefonuar në numrin e ish-zyrtarit, ndërkohë që ende nuk ka detaje lidhur me bisedat e tyre.

Nga të dhënat e siguruara nga prokuroria, ish-zyrtari është aksioner i vetëm në një kompani import-eksporti si dhe shitje me shumicë e pakicë, të mallrave e artikujve të ndryshëm, ndërkohë që pritet marrja e tij në pyetje lidhur me bisedat.

Nga hetimet për laboratorin e drogës në Xibrakë, organi i akuzës ende nuk ka sasinë e saktë të kokainës së sekuestruar, ndërkohë që hetuesit dyshojnë se ajo vinte në formë të lëngshme dhe më pas përftohej nga dy kolumbianët.

Ilir Hyseni i dyshuari si organizatori kryesor i rrjetit të trafikut, ka pranuar aktivitetin e tij kriminal, por ka thënë se nuk njeh asnjë nga të arrestuarit duke kërkuar mospërfshirjen e tij në grupin e strukturuar kriminal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat