Italiani biznes prostitucioni me shqiptaren, hiqeshin si të dashur

Kronikë e zezë

Italiani biznes prostitucioni me shqiptaren, hiqeshin si të dashur

Më: 29 janar 2015 Në ora: 17:21

Prostitucioni i nisur në Itali me vajzën shqiptare, tashmë ishte transferuar në territorin shqiptar. Një shtetas italian 44-vjeçar shfrytëzonte një 22-vjeçare shqiptare për prostitucion, duke përfituar para në këmbim të marrëdhënieve seksuale.

Skandali u zbulua nga policia e kryeqytetit ditën e hënë më 26 janar, në një hotel në afërsi të Laprakës. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë një ditë më pas se përfundoi në pranga shtetasi italian D.F., 43 vjeç, nga Mezzero i Milanos për “shfrytëzim prostitucioni” dhe 22-vjeçarja me iniciale M.H, e akuzuar për “ushtrim prostitucioni”.

Të njëjtat burime thanë se këtë aktivitet ata e ushtronin prej disa javësh në Tiranë, në dy hotele të ndryshme, aty ku banonin në Laprakë dhe në një motel pranë bulevardit “Zogu i Parë”.

Shtetasi i huaj, i cili kishte njohje prej të paktën 5 vitesh me vajzën shqiptare, hiqej si i dashuri i saj, jetonte në një dhomë me të, ndërsa përgjatë ditës i dërgonte persona të tjerë, të cilët në këmbim të parave kërkonin favore seksuale nga e reja.

Zbulimi nga denoncimi: Hynin meshkuj të ndryshëm në dhomë

Prej disa ditësh Policia kishte nisur hetimet rreth asaj që dyshohej se po ndodhte, ndërsa ndërhyri të hënën rreth orës 23:30, duke kapur në flagrancë vajzën që ushtronte prostitucion.

Në dhomë me të u ndalua edhe një djalë 19 vjeç nga Tirana, i cili pranoi se i kishte dhënë shtetasit italian 50 euro, në mënyrë që të kryente marrëdhënie seksuale me “të dashurën” e tij.

Shkak për nisjen e hetimeve nga oficerët e Antitrafikëve të Policisë së Tiranës ka shërbyer një denoncim i një qytetari, i cili kishte dyshime rreth marrëdhënies së supozuar të dashurisë mes shtetasit italian dhe asaj shqiptare.

Qytetari që denoncoi ngjarjen u ka treguar punonjësve të Policisë se, 44-vjeçari jetonte prej disa ditësh në të njëjtën dhomë hoteli me vajzën shqiptare, për të cilën kishte deklaruar se e kishte të dashur.

Por, dyshimet nisën kur meshkuj të ndryshëm shiheshin duke hyrë e duke dalë nga dhoma e tij, madje edhe duke u shoqëruar deri tek hyrja e dhomës nga vetë i huaji, i cili më pas largohej.

Veprimet e tij, por edhe të vajzës që thuajse nuk dilte fare nga dhoma, u kthyen në një shqetësim për punonjësit e hotelit derisa mbrëmjen e së hënës policia u paraqit për të kryer aty një kontroll.

Burimet thanë se përveç arrestimit të flagrancë të dy protagonistëve, ka nisur një hetim edhe për veprimtarinë e mëparshme. Të njëjtat burime thanë se dy të arrestuarit njiheshin me njëri-tjetrin prej 5 vitesh, kur vajza kishte qenë në Itali.

Këto fakte hodhën dyshimet se veprimtaria seksuale e vajzës mund të ketë nisur vite më parë në shtetin italian, ndërkohë që para pak kohësh ishte zhvendosur në territorin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat