Fenomeni në Lezhë, Ndoka: Grabitësit na vjedhin çdo natë

Kronikë e zezë

Fenomeni në Lezhë, Ndoka: Grabitësit na vjedhin çdo natë

Më: 29 janar 2015 Në ora: 09:41

Valentin Ndoka, është një qytetar nga Lezha. Ka më shumë se një muaj, që orvatet në kërkim të makinës së tij që iu ka vjedhur para pallatit në lagjen ‘Beslidhja’. Në fakt, Lezha, prej më shumë se një muaji është kthyer në një gangrenë të vërtetë vjedhjesh, ku duket se lopët dhe viçat, tashmë janë zëvendësuar me makina të shtrenjta. Paçka se nuk mungojnë edhe grabitjet e shtëpive dhe të bizneseve, gjithsesi, vjedhjet e makinave, para disa ditësh, kanë sjellë në Lezhë edhe grupe FNSH-je nga Shkodra.

Ata thjesht kanë mbërritur, kanë patrulluar për orë me radhë qytetin dhe më pas janë larguar, pa mundur të sjellin në pranga asnjë person, pasi ende nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me të paktën 17 raste vjedhjesh vetëm të mjeteve luksoze në këtë qytet. Valentini kontaktoi me gazetën duke hedhur dritë mbi hallin e tij, pasi sipas tij, ngjarja që i ka ndodhur atij, shënon rastin e parë në të gjitha rastet e ndodhura në harkun kohor të një muaji në Lezhë.

Rrëfimi
Z.Ndoka, kur ua kanë vjedhur mjetin tuaj?
Mbrëmjen e 23 dhjetorit. Unë banoj te pallatet e reja në lagjen ‘Beslidhja’. E parkova, aty ku e lija çdo natë, para pallatit. Në mëngjes kur u zgjova nuk e gjeta. Shkova në polici dhe bëra denoncimin, po më kot.

Si më kot, nuk është bërë asgjë për gjetjen e makinës?
Jo vetëm që nuk është bërë asgjë me gjetjen e makinës sime, por prej asaj nate, Lezha është kthyer në një makth të vërtet. Çdo natë ka vjedhje makinash dhe tani jo vetëm që kam frikë se s`do të gjendet asnjëherë as makina dhe as autorët, por kam frikë të tentoj të blejë edhe makinë tjetër. Jam i sigurt që do të ma vjedhin, veç nëse e mbyll në ndonjë parking me lekë.

Pas denoncimit, keni kontaktuar më me policinë për çështjen tuaj?
Po, sigurisht. Çdo herë që përballem me ta, më thonë të njëjtën gjë; po punojmë po nëse edhe ti ke ndonjë informacion na e thuaj. Në fakt, unë nuk e di se kush mund ta ketë marrë, veç se di që pas vjedhjes së makinës sime, janë vjedhur edhe shumë të tjera.

Pallati ku ju banoni, ka kamera?
Ka dhe i ka kapur personat në momentin që e kanë vjedhur. Policia i ka sekuestruar pamjet. I kam parë edhe vetë. Në fakt janë shumë të mjegullta, po shikohen se janë dy makina të ndezura, një prej të cilave është e imja. Nuk e di se çfarë është bërë me atë tjetrën, por di që e imja u zhduk pa gjurmë.

A jeni në dijeni të veprimeve të mëtejshme të policisë për çështjen tuaj?
Unë nuk e di se çfarë veprimesh bëjnë ata. Di që ende nuk ka asnjë gjurmë autorësh, jo vetëm për makinën time, por as për shumë të tjera të rrëmbyera në këtë kohë. Më kanë thënë se kemi dërguar pamjet në Tiranë për t’i deshifruar, por fakti që grabiten thuajse çdo natë, do të thotë se diçka nuk funksionon. Në fakt, nuk ka se si të funksionojë, pasi policët rrinë shtyllave të dritave dhe duke iu marrë kafshatën e gojës qytetarëve të thjeshtë dhe fukarenj, ndërsa pse vidhen makinat tona, nuk i bëhet kujt vonë.

Kam biznes, kam fëmijë për të çuar në shkollë, e mirë që s’kam makinë për të kryer punët e mia, po kam frikë edhe të blejë tjetrën se do ma vjedhin prapë. Unë nuk e kuptoj, për kë i paguajmë këto taksa, kur ke frikë të rrish edhe në shtëpinë tënde se të hyjnë brenda, e mirë që të grabisin po edhe të dhunojnë. Të gjitha këto ndodhin në Lezhë. Policia të zbresë nga shtyllat se unë si qytetar, nuk i paguaj për atë punë, po për sigurinë time dhe të familjes sime, që sot nuk i kam.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat