Babai i gardianes së akuzuar për gjobëvënie: Ime bijë, e pafajshme

Kronikë e zezë

Babai i gardianes së akuzuar për gjobëvënie: Ime bijë, e pafajshme

Më: 28 janar 2015 Në ora: 11:39

“Ermal Mrruku më mori më qafë time bijë. Ai ka bërë çfarë ka bërë, por Klodiana nuk është e përfshirë në veprimet kriminale të tij dhe nuk është përfshirë në ato për të cilat prokuroria ka ngritur akuzë ndaj saj. Familja dhe fisi nuk më flasin dhe më janë larguar, pasi ata mendojnë se ime bijë është ashtu siç e kanë lexuar nëpër media”. Kështu tha dje për “Shekullin”, babai i Klodiana Drizës, Muharremi, i cili pohoi s’ka pasur më parë asnjë marrëveshje bashkëpunimi, as kurthe të ngritura me dijeni të Klodianës e as veprime të paramenduara nga e bija për qëllime kriminale. “Ermali me sa di unë, ka ngritur dhe kurthe të tjera, ka bërë dhe të tjera manovra dhe ime bijë, është vetëm një karrem për të mbuluar atë çka kurdisur ai. Ime bijë bashkëjetonte me të por nuk e dinte që ai ishte i martuar”,- rrëfeu, Muharremi. Lidhur me disa apartamente që janë regjistruar në emër të nënës së Klodianës, nga Ermal Mrruku, Muharremi thotë se Ermali iu ka pasur atyre para borxh dhe iu ka dhënë disa apartamente.

Gjithashtu këtë situatë, është përgatitur edhe një padi civile e nga një person me emrin Eduart Hoxha. Ai pritet të dëshmojë në seancën kundër të pandehurve Ermal Mrruku dhe Klodiana Driza, pasi pretendohet se është një nga të dëmtuarit që i janë marrë shtëpitë. I ati i Klodianës tha se kjo është një tjetër manovër në kurriz të Klodianës. “Shtëpitë nuk janë marrë me forcë ashtu siç thuhet. Pronarët të cilët i kanë dhënë shtëpitë, e kanë bërë këtë mbi bazën e një marrëveshje të cilën e kemi bërë me Ermalin. Ne kishim një lokal, dhe i huazuam ca para atij (Ermalit), por ai s'kishte të na i kthente”.

Driza tha ata se kishin rënë dakord që shlyerja të bëhej me apartamente që i morën me dokumente të rregullta dhe u regjistruan në emrin e gruas së Muharremit. “Nuk ka asgjë që ta përfshijë time bijë në këtë histori. Unë kam njerëz që veprojnë mbi bazën e kanunit të Lekë Dukagjinit. Kjo që më ndodi me vajzën më nxiu faqen. Njerëzit e mi nuk kanë më të njëjtën marrëdhënie që kanë patur me mua, por se akuzat ndaj Klodianës janë të pavërteta”. Muharremi thotë se, shumë prej të afërmve nuk i flasin dhe se ai ndihet i turpëruar në sy të tyre nga kjo që është thënë në media për të bijën. “Klodiana ka qenë një karrem në duart e Ermal Mrrukut. Gjithë kjo histori është një ngjarje e thurur nga të tjerë. Vajza ime është vetëm një karrem i përdorur prej tyre. Por kjo ma ka shkaktuar një dëm të madh mua dhe gjithë familjes time”, përfundoi babai i Klodiana Drizës, Muharrem Driza për “Shekullin”.

Ai foli, pasi doli nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ku pritej të zhvillohej seanca gjyqësore në ngarkim të vajzës së tij Klodiana Drizës si dhe Ermal Mrrukut. Të dy ata akuzohen se në bashkëpunim për “shtrëngim me dhunë për dhënie të pasurisë” . Klodiana Driza është gardiania që akuzohet nga prokuroria se “gjobiste” biznesmenët, bashkë me ish-gardistin. Ajo e niste joshjen në lokal, ku punonte pasditeve, ndërsa në momentet e “zbulimit të tradhtisë“, ajo bënte sikur nuk ishte pjesë e skenarit. Ata hiqeshin si të si çift, dhe në momentin e planifikuar ndërhynte i pandehuri Ermal Mrruku që hiqej sikur po zbulonte “tradhtinë”, dhe në këmbim ju kërkonin të dëmtuarve shuma të konsiderueshme parash për të mbyllur konfliktin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat