Vrau vëllanë pas konfliktit për pronën, rrezikon 40 vite burg

Kronikë e zezë

Vrau vëllanë pas konfliktit për pronën, rrezikon 40 vite burg

Më: 27 janar 2015 Në ora: 09:32

Mes lotësh dhe emocionesh, nisi dje seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Petrit (Leonard) Marku, 46 vjeç nga Thumana e Krujës, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij, pas nj konflikti pronësie, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit të kaluar. I pandehuri u paraqit në sallën e gjyqit në seancën e djeshme, ndërsa u shkreh në lot tregoi se ishte i penduar për krimin që kishte bërë, atë të vrasjes së të vëllait. Ai tha se nuk ka asgjë për të shtuar veç se është thellësisht i penduar për gjithçka çfarë kishte ndodhur në shtator, kur ai kishte vrarë të vëllain. Petrit Marku akuzohet në shtator të vitit 2014, vrau të vëllanë e tij Pal Markun, pas një konflikti të tejzgjatur mes tyre për çështje pronësie.

Gjatë kohës që zhvillohej seanca në ngarkim të Petrit Markut, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, të pranishëm në sallë ishin edhe familjarë të të pandehurit. Janë përshëndetur në distancë me të afërmin e tyre, dhe kanë shprehur në lot mërzinë duke thënë se kjo ishte një dhimbje e dyfishtë për ta. Sipas pretendimit të prokurorisë, por që është pranuar edhe nga vetë i pandehuri, ngjarja ndodhi pas debateve mes dy vëllezërve dhe konflikteve të tyre të vazhdueshme, lidhur me një pronë të blerë nga i pandehuri Petrit Marku dhe të regjistruar në emër të vëllait të tij, Pal Marku.

Dy vëllezërit kishin debatuar gjatë mes tyre për një shtëpi që i pandehuri dëshironte të ndërtonte në atë pronë, dhe që është penguar nga viktima. Ditën kur ka ndodhur ngjarja, i pandehuri Petrit Marku, shkoi në dyqanin e riparimit të mjeteve, në pronësi të vëllait të tij Pal Marku dhe debatoi ashpër me të. Pasi tonet janë ngritur, debati është acaruar dhe ka degjeneruar në konfrontim fizik mes tyre. Petrit Marku, goditi të vëllain e tij disa herë në kokë, por ai edhe pse i plagosur ka mundur të largohet në një distancë jo të largët. I pandehuri e ka ndjekur nga pas, pasi ka bërë disa hapa duke tentuar të ikë, pranë një kanali viktima, Pal Marku, u rrëzua dhe i pandehuri shfrytëzoi aty rastin që të godasë vëllanë me armën e zjarrit që mbante me vete.

Nga të shtënat Pal Marku, mori plagë të rënda duke mbetur i vdekur në vend. Pasi ka kryer krimin i pandehuri është vetëdorëzuar në polici ku ka rrëfyer dhe krimin që ka kryer. Prokuroria ka administruar provat nga vendi i ngjarjes, dhe aktet e ekspertimit mjeko-ligjor, dhe pritet të dalë në konkluzione përfundimtare në seancën e radhës. Mbrojtja e të pandehurit kërkoi që procesi të vijonte me gjykim të shkurtuar të çështjes, duke qenë se i pandehuri ishte penduar për krimin e kryer dhe e pranonte atë. Kjo kërkesë e mbrojtjes së Markut, u pranua nga gjykata. Petrit Marku, i njohur edhe me emrin Leonard Marku, akuzohet për veprat penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “armëmbajtje pa leje”. Duke qenë se çështja në ngarkim të të pandehurit Marku do vijojë me gjykim të shkurtuar, ai i ka shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm, ndërsa ai rrezikon të dënohet deri në 40 vite burgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat