Shiti foshnjën e porsalindur për 7 mijë dollarë

Kronikë e zezë

Shiti foshnjën e porsalindur për 7 mijë dollarë

Më: 26 janar 2015 Në ora: 18:23

Një grua në Kinën qendrore është e fundit në radhë që ka përfunduar në dosjet hetimore të prokurorëve të vendit, për shitjen e foshnjës së saj të porsalindur në këmbim të 7000 dollarëve, bën të ditur një raport i medias shtetërore, në vazhdën e rasteve shokuese që hedhin dritë mbi tregtinë e paligjshme të fëmijëve në vend.

Gruaja 30-vjeçare, me mbiemër Huang, akuzohet se ka arritur marrëveshje me një mjeke obstetrike të identifikuar si Yang, në qarkun Xinxiang të provincës Henan, për të shitur foshnjën e seksit mashkull, sipas detajeve të publikuara në të përditshmen ligjore të njoftimeve të Prokurorisë.

Yang ia shiti djalin e porsalindur një çifti në të njëjtin qark për 42 mijë juanë, e më pas i dha 35 mijë juanë nënës Huang, duke mbajtur 7 mijë juanë për vete, thuhet në raport. Çështja është bërë e njohur gjatë gushtit të vitit të kaluar, pasi gjyshja e foshnjës njoftoi policinë.

Gjyshja tha se Huang ishte larguar nga fshati për të shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, pasi kishte pasur disa mosmarrëveshje konfliktuale me të shoqin. Kur Huang ishte kthyer dy javë më vonë, ajo u kishte thënë familjarëve të të shoqit se djali kishte ndërruar jetë, por gjyshja kishte pasur dyshimet e saj, pasi kunata nuk dukej aspak e shqetësuar dhe e mërzitur. Më pas, një i afërm zbuloi se djali ishte shitur.

Huang kishte një djalë nga një martesë e mëparshme, ndaj kishte menduar se djali që pritej të vinte në jetë do të ishte një “gabim” për fëmijën e parë të saj, thuhet në raport. Djali tashmë është nën kujdesin e familjes së të atit.

Trafikimi i fëmijëve është një problem jetëgjatë në Kinë. Preferenca tradicionale për djem dhe politika e vendit për të sjellë në jetë vetëm 1 fëmijë për çift, nënkupton se veçanërisht djemtë vlerësohen së tepërmi, madje konsiderohen si të çmuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat