Sherr me dashnoren e burrit për “Volkswagen” të tipit “Tuareg”

Kronikë e zezë

Sherr me dashnoren e burrit për “Volkswagen” të tipit “Tuareg”

Më: 26 janar 2015 Në ora: 17:20

Një lidhje jashtëmartesore e një biznesmeni në Fier ka futur në sherr bashkëshorten e tij dhe të dashurën, e cila kishte përfituar përdorimin e një automjeti luksoz. Pas rënies së tij në burg si bashkëpunëtor në vjedhjen e mijërave litrave karburant dhe falsifikim të dokumenteve e stampave, bashkëshortja duket se ka vendosur që ta marrë automjetin që ai ia kishte lënë në përdorim me prokurë të posaçme një vajze nga Vlora. Kjo, pasi biznesmeni në fjalë ishte detyruar që t’ia kalonte gruas së tij lejen e përdorimit. Por, duke qenë se femra që e përdorte prej një kohe të gjatë fuoristradën “Volkswagen” tip “Tuareg” nuk ka pranuar t’ia japë makinën gruas së mikut të saj, kjo e fundit është detyruar t’i drejtohet policisë për të zgjidhur konfliktin. Ndërkohë, verifikimi nga ana e policisë ka evidentuar se edhe vetë biznesmeni Sh. K. e kishte marrë në përdorim nga një tjetër person këtë makinë. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Shqip” nga burime të uniformave blu, të cilat sqaruan se të dyja femrat kanë qenë aq të irrituara me njëra-tjetrën, sa për pak kanë kaluar në konflikt fizik edhe në ambientet e policisë, por një gjë e tillë është parandaluar.

Denoncimi

Rreth dy javë më parë, bashkëshortja e një biznesmeni të tregtimit të hidrokarbureve, B. K., i është drejtuar policisë, ku ka denoncuar një qytetare me banim në Vlorë, se kishte uzurpuar pa të drejtë automjetin e bashkëshortit të saj. Denoncuesja ka kërkuar që të ndërhyhet, me qëllim kalimin e mjetit në përdorim të saj. Për këtë arsye, ajo ka vënë në dispozicion edhe një prokurë të lëshuar nga bashkëshorti i saj pak kohë më parë, që i lejonte përdorimin e fuoristradës “Volkswagen” tip “Tuareg”. Në këto kushte, policia ka thirrur vajzën K. S., që kishte në përdorim mjetin dhe ka konstatuar se edhe ajo kishte një prokurorë të lëshuar nga biznesmeni Sh. K., i cili e autorizonte që ta përdorte ajo këtë mjet. Madje, autorizimi në favor të mikeshës së biznesmenit ishte më i hershëm se ai që gëzon bashkëshortja e tij. Në këto kushte, dy femrat kanë debatuar me njëra-tjetrën dhe kanë qenë oficerët e policisë që kanë parandaluar një konflikt fizik mes tyre. Pas marrjes së deklarimeve të secilës prej pretendueseve të mjetit luksoz, policia ka referuar materialet në prokurori, e cila ka vendosur ta bllokojë makinën deri në zgjidhjen ligjore të çështjes. Pritet që këto ditë të vendoset se kujt do t’i jepet në përdorim makina në fjalë, në një kohë që kanë autorizim për përdorim edhe bashkëshortja e biznesmenit, edhe mikesha e tij. Ndërkohë, nga verifikimi ka rezultuar se automjeti nuk është në pronësi të biznesmenit Sh. K., por një person tjetër ia ka lënë atij me prokurorë para se të arrestohej. Policia dhe prokuroria kanë nisur edhe verifikimin e historikut të mjetit, për të konkluduar nëse është i rregullt. E ndërkohë që biznesmeni Sh. K. ndodhet në qeli prej më shumë se një viti, makina që ai kishte pasur në përdorim është kthyer në një mollë sherri mes bashkëshortes dhe një mikeshës së tij.

Arrestimi i biznesmenit

Në dhjetor të vitit 2013, Policia e Fierit vuri në pranga biznesmenin Sh. K., pronar i një pike karburanti, pasi iu gjetën dhe sekuestruan rreth 42 tonë naftë bruto të padeklaruar. Në këtë aksion, policia arrestoi edhe disa persona të tjerë, të cilët dyshohet se bashkëpunonin në vjedhjen e naftës bruto nga puset dhe shitjen e saj në pikën e karburantit të biznesmenit të arrestuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat