“Gjenden” lekët e vjedhura në BSH

Kronikë e zezë

“Gjenden” lekët e vjedhura në BSH

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 23:26

Merr një tjetër drejtim hetimi për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Hetuesit duket se kanë rënë në gjurmët e destinacionit të vërtetë të 713 milionë lekëve të marra në afro katër vjet nga Ardian Bitraj.

Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se një pjesë e mirë e parave të vjedhura mund të kenë dalë jashtë Shqipërisë.

Ky dyshim është përforcuar pasi është zbuluar se disa prej të pandehurve kanë bërë transferta të shumta parash në disa shtete.

Prokuroria kërkoi fillimisht nga shoqëritë e transferimit të parave nëse disa prej të akuzuarve kishin kryer transferta.

Dhe nga kompanitë, erdhën përgjigje pozitive për disa prej tyre. Por që të jepen të dhëna të sakta duhet urdhër sekuestro nga prokuroria.

E për këtë arsye, akuza ka dërguar këto urdhër- sekuestro, ndërsa ndodhet në pritje të përgjigjeve të plota për shumtat e transferuara si dhe për vendet ku janë bërë këto transferta.

Kjo është edhe një nga arsyet që prokuroria nuk ka mbyllur ende dosjen numër 2, e cila përfshin si të pandehur Ardian Bitrajn, Mimoza Bruzian, Kleves Bejtja dhe ish-guvernatori Ardian Fullani ky i fundit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ndërkohë të premten, gjykata pritet të japë vendimin për grupin e parë të të akuzuarve ish punonjës të bankës të cilët kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.

Vjedhja e Bankës se Shqipërisë është një nga skandalet më të mëdha të ndodhura gjatë ketij viti, ku në bankën e të akuzuarve u ulen 19 të pandehur përfshi edhe kreun e BSH, Ardian Fullani si dhe inspektoren e përgjithshme, Elivar Golemi transmeton Vizion+.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat