Arrestohen 14 neofashistë italianë, po planifikonin sulme terroriste ndaj politikanëve

Kronikë e zezë

Arrestohen 14 neofashistë italianë, po planifikonin sulme terroriste ndaj politikanëve

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 23:08

Policia italiane ka arrestuar 14 persona këtë të hënë të cilët bënin pjesë në një lëvizje neofashiste dhe po planifikonin disa sulme terroriste ndaj politikanëve, prokurorëve dhe vetë policisë. Të dyshuarit u ndaluan përmes aksioneve të zhvilluara në të gjithë Italinë, me akuza të ndryshme, si përpjekje për të kryer akte terrorizmi, rrëzim të demokracisë dhe nxitje e urrejtjes rracore.
Arrestimet u bënë në një kohë kur Italia po rimerr veten nga skandali i mafias së përfshirë në një rrjet korrupsioni me bazë në Romë, në të cilin ishin përfshirë ekstremistë të së djathtës të lidhur me botën kriminale të kryeqytetit.
Policia raportoi të hënën se kishte arritur të neutralizonte organizatën klandestine “Rendi i ri”, e organizuar dhe modeluar sipas lëvizjes fashiste me të njejtin emër të viteve 1970. Mario Parente, kreu i njësisë së policisë “Shqiponja e Zezë”, që realizoi operacionin, tha për gazetarët se organizata kishte për qëllim që të merrte peng rendin shoqëror në Itali dhe gjithashtu të themelonte një parti të re politike. Operacioni i policisë u bazua në përgjimin e të dyshuarëve dhe infiltrimin e agjentëve brenda organizatës. Përveç 14 arrestimeve, 31 persona të tjerë janë vënë zyrtarisht nën hetim.
Sipas raportimeve paraprake, grupimi udhëhiqej nga Stefano Mani, një 48-vjeçar ish-oficer policie, me lidhje afatgjata me ekstremistët fashistë, i cili punonte në mënyrë aktive për përhapjen e propagandës raciste në Itali.
Tensionet sociala janë rritur ndjeshëm në Itali muajt e fundit, shpesh për shkak të nivelit të ulët të jetesës dhe papunësisë që ka kapur shifra rekord pas gjashtë vitesh stanjacion dhe reçesion të ekonomisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat