Vrasja e dyfishtë në Shkodër, atentati nga dy mjete për të mos dështuar

Kronikë e zezë

Vrasja e dyfishtë në Shkodër, atentati nga dy mjete për të mos dështuar

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 08:57

Policia e Shkodrës ka mundur të zbardhë mekanizmin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Dudas”, por ende nuk zbuluar motivet dhe autorët. Për ekzekutimin e Edmir Aliajt dhe Edmond Batras janë përdorur dy mjete, një motor prej nga ku hapën zjarr autorët si dhe pas tij një automjet, i cili dyshohet se kishte marrë masa për të qëlluar sërish me qëllim që atentati të mos dështonte. Nga të shtënat humbën jetën Batra dhe Aliaj, ndërsa mbeti i plagosur nipi i këtij të fundit Amarildo Pirani, 20 vjeç i cili aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, e cila ka ndërtuar mekanizmin e krimit, rreth orës 13:50 të së shtunës tre personat kanë qenë duke ecur në këmbë drejt makinës së Aliaj, e cila ndodhej e parkuar. Në këtë moment një motor në të cilin ndodheshin dy persona me skafandër ka ndaluar shumë pranë tyre. Personi i cili ndodhej pasagjer në motor ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Aliajt dhe Batras. Ky i fundit është përpjekur të mbrohet nga plumbat, duke u fshehur pas disa goma makinash, të cilat ishin vendosur njëra mbi tjetrën, por autori ka zbritur nga motori dhe i është afruar, duke e qëlluar sërish. Për pasojë plumba kanë marrë të tre personat, ku Batra gjeti vdekjen në vend, ndërsa Aliaj ndërroi jetë në spital. Pirani, i cili është përjashtuar nga hetimet e policisë si “shënjestra” e sulmit ka marrë një plumb dhe ndodhet jashtë rrezikut. Dëshmitarët i thanë policisë se fill pas motorit, i cili u largua me shpejtësi, udhëtonte shumë pranë një makinë, ngjyrë mente dhe pa targa.

Sipas dëshmive, kalimtarët e rastit kanë dalluar dy persona brenda në mjet, të cilët ishin të maskuar. Policia ka ngritur dyshime se automjeti pa targa nuk ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, por në mbështetje të autorëve. Makina ngjyrë mente është përdorur për të kryer atentatin në rast se dështonin dy personat me motor. Këto dyshime janë ngritur pasi gjatë hetimeve ka rezultuar se Edmir Aliaj ka qenë më parë objekt i një atentati, por ka shpëtuar. Megjithatë grupi hetimor ende nuk ka zbardhur saktësisht se cili prej dy viktimave ka qenë epiqendra e plumbave. Ata janë qëlluar të dy disa herë me plumba në kokë, duke mos përjashtuar edhe mundësinë që të dy të kenë qenë në qendër të sulmit. Paraprakisht policia ka hequr nga lista Piranin, duke bërë të ditur se 20-vjeçari është plagosur nga të shtënat pasi në atë moment ndodhej me dajën e tij. “Të dy viktimat kanë qenë me precedent penalë dhe grupi hetimor nuk ka mundur të përjashtojë njërin apo tjetrin nga “shënjestra” e sulmit me armë. Hetimet janë shtrirë në disa pista, të cilat po verifikohen paralelisht. Më kryesorja mbetet e ajo e vrasjes për hakmarrje” thanë për gazetën burimet policore. Pas ngjarjes dhe gjatë ditës së djeshme policia ka shoqëruar mbi 30 persona me të kaluar të njohur në botën e krimit në Shkodër. Ata janë marrë në pyetje në ambientet e komisariatit të policisë por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar se ka gisht në këtë ngjarje ndërsa nga ana tjetër policia nuk ka prova për asnjërin prej tyre dhe i ka lënë të lirë. Aktualisht policia nuk ka asnjë të dyshuar për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e 20-vjeçarit dhe për rrjedhojë as motiv. Policia ka marrë në pyetje familjarët e dy viktimave, të cilët kanë deklaruar se djemtë e tyre nuk kanë pasur hesape të palara. Ata lëviznin lirshëm dhe nuk ndiheshin të kërcënuar. Ndërkohë që grupi hetimor mori në pyetje edhe të plagosurin, i cili deklaroi se nuk ka mundur t’i dallojë autorët.

Burime nga policia thanë se i riu ka dëgjuar të shtënat me armë dhe është shtrirë për tokë, ndërsa ka parë të shtrirë edhe dajën e tij, të cilit i ka thirrur disa herë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tij. Më pas i riu ka rënë pa ndjenja pasi kishte marrë një plumb në trup dhe është përmendur në spital. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë rreth orës 13:50 në lagjen “Dudas” në Shkodër kur persona ende të paidentifikuar nga policia qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të 40-vjeçarit Edmond Batra, baba i dy fëmijëve, 37-vjeçarit Edmir Aliaj, baba i tre fëmijëve të mitur dhe nipit të këtij të fundit Amarildo Pirani, 20 vjeç. Për pasojë Batra mbeti i vdekur në vend ndërsa dy të tjetër u transportuan në spitalin e Shkodrës. Mjekët nuk kanë mundur të shpëtojnë Aliajn pasi kishte marrë plagë të rënda dhe ai ndërroi jetë pak minuta më pas. Në Policia e njoftuar për ngjarjen rrethoi zonën përreth ndërsa ngriti postblloqe në rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës duke ushtruar kontrolle të shumta por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve të dyshuar. Forcat e policisë sekuestruan 20 gëzhoja automatiku në vendngjarje ndërsa morën në pyetje dëshmitarët.

Policia: Autorët dyshohet me pagesë

Ekzekutimi i dy personave dhe plagosjes së një tjetri është cilësuar si mafioz nga policia e Shkodrës, e cila dyshon se autorët janë paguar nga persona të tjerë. “Dy personat që ndodheshin në motor nga ku u hap zjarr, sipas dëshmive të mbledhura janë të moshës 22- 27 vjeç. Atentati është kryer nga vrasës profesionistë, të cilët mund të jenë paguar për të kryer ekzekutimin e dyfishtë. Gjithashtu policia dyshon se për këtë krim janë paguar edhe vrasësit “rezervë”, të cilët lëviznin me makinë pas motorit për të qëlluar në rast të ndonjë pengese të mundshme” thanë për gazetën “Shekulli” burimet policore. Gjatë hetimeve rezultoi se dy viktimat kanë qenë të përfshirë më parë në ngjarje kriminale, për të cilat kanë qenë të akuzuar nga policia. Burime nga policia thanë se viktima Edmond Batra, i cili sapo ishte kthyer nga Amerika ku kishte emigruar disa kohë më parë, ka qenë i dënuar më parë për vrasje. Gjithashtu edhe viktima tjetër, Edmir Aliaj ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe tentativë vrasje. Policia ende nuk ka zbardhur objektivin e atentatit, por dyshon se e shkuara kriminale e viktimave mund të ketë lidhje me vrasjen e tyre. Gjithsesi policia ka ngritur edhe pista të tjera, të cilat po hetohen paralelisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat