Hakmarrja, ekzekutohen me kallash në Shkodër dy ish-të dënuar, plagoset nipi i njërit

Kronikë e zezë

Hakmarrja, ekzekutohen me kallash në Shkodër dy ish-të dënuar, plagoset nipi i njërit

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 14:55

Dy persona janë ekzekutuar me automatik pasditen e sotme në Shkodër, nga një person që po udhëtonte me motor. Ndërkohë që si pasojë e të shtënave, ka mbetur i plagosur edhe nipi i njërit prej viktimave.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20 minuta në lagjen “Dudas”, në një kohë me lëvizje të shumta, ndërsa dy personat që kanë mbetur të vrarë sipas policisë janë Admir Aliaj, i njohur ndryshe si Miri Aliaj dhe Edmond Batra, 42 vjeç, të dy me precedentë penalë.

Admir Aliaj është gjetur me plagë të rënda në automjetin e tij dhe më pas është transportuar në spital, por për shkak të hemorragjisë nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërsa Batra është gjetur i pajetë në trotuar, pranë Aliajt.

Brenda pak çastesh në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu të Shkodrës, prokurori si dhe ekspertë të krimininalistikës. Nga hetimet ka rezultuar se shënjestra e këtij atentati ka qenë Miri Aliaj një personazh i njohur në Shkodër. I plagosuri është identifikuar si Amarildo Pirani, i cili mësohet të jetë nipi i Admir Aliaj.

Sipas të dhënave edhe nga dëshmitarët, dy viktimat janë qëlluar nga i njëjti person, i cili lëvizte me një motor. Arma e përdorur ka qenë kallashnikov pasi gëzhojat janë shpërndarë në trotuarin e rrugës së lagjes ‘Dudas’.

Policia po heton në lidhje me të kaluarën kriminale tyë dy viktimave për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa mësohet se janë shoqëruar rreth 10 persona, dëshmitarë por edhe të dyshuar. Pista kryesore për hetimet mbetet hakmarrja.

Ministria e Brendshme bën me dije se Edmond Batri, rezulton i dënuar më parë për vrasje, kurse viktima e dytë, Admir Aliaj i cili humbi jetën në spital rezulton i dënuar me parë për armbajtje pa leje dhe tentativë vrasje.
Po të njëjtat burime shtojnë se i plagosur jashtë rrezikut ndodhet në spital Amarildo Pirani edhe ky i dënuar më parë për grabitje me armë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat