Vrasja e dyfishtë në Selitë, në kapuçët e të vrarëve nuk ka shenja plumbash

Kronikë e zezë

Vrasja e dyfishtë në Selitë, në kapuçët e të vrarëve nuk ka shenja plumbash

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 11:08

Prokuroria e Tiranës në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në banesën e Flamur Ymerit në Selitë, pritet t’i komunikojë nesër në gjykatë këtij të fundit akuzën për “tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”, vepra për të cilat mund të dënohet maksimumi me 7 vjet burg. Por hetimet e deri më tanishme kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje, duke hedhur dyshime të forta se vrasja e dy personave, nuk ka ndodhur gjatë një tentative grabitjeje, por një vrasje me paramendim. Sipas hetuesve faktet e reja hedhin dyshime mbi pretendimet e Flamur Ymerit. Pas drejtimit të ekspertëve të policisë në shtëpinë e Flamur Ymerit, hetuesit kanë marrë sërish nga e para dëshmitë e pjesëtarëve të tij të familjes së Ymerit. Sipas tyre, në një rast një predhë e gjetur në trupin e një prej të vrarëve, nuk përputhet me armët e dorëzuara nga Ymeri policisë, të cilat ishin një pistoletë “TT” dhe një automatik. Sipas të njëjtave burime, predha i e gjetur në trup i përket një arme pistoletë të markës “TT”, por jo asaj që është bllokuar nga policia e dorëzuar nga Ymeri.

Po kështu sipas tyre, një prej të vrarëve, ka pasur një plagë në kokë e shkaktuar nga një plumb, por që nuk kishte përshkuar kapuçin. Një fakt i tillë sipas hetuesve të bën të dyshosh se personi fillimisht është vrarë më pas është atij i është veshur kapuçi, i cili nuk është përshkuar nga predha. Hetuesit e ngjarjes janë në udhëkryq lidhur me motivet, pas këtyre detajeve të reja të zbuluara. Ndërkaq një tjetër fakt sipas burimeve të policisë që ka bërë që të hidhen dyshime mbi të ndaluarin, është fakti se ai dyshohet se menjëherë pas krimit kishte telefonuar avokatin e tij të cilit mendohet se i ka treguar çfarë kishte ndodhur në shtëpinë e tij dhe më pas ka telefonuar policinë. Edhe më herët, ekspertët kanë vënë në dyshim pretendimet lidhur me ngjarjes, pas detajeve të cilat nuk kishin përputhshmëri. Deklarimet e të arrestuari si dhe të bashkëshortes së tij dhe personave tjerë ishin kontradiktore duke bërë që hetuesit e prokurorisë dhe të policisë të ngrinin dyshime të forta për këtë ngjarje.

Akuzat për Flamur Ymerin

Pas ngjarjes së ndodhur në Selitë ku dy shtetas u vranë me armë në shtëpinë e Flamur Ymerit, Prokuroria dërgoi në Gjykatë dosjen për këtë të fundit. Organi i akuzës kërkon arrest me burg për 46-vjeçarin Ymeri. Personi që qëlloi për vdekje me armë dy personat që kishin hyrë në shtëpinë e tij, akuzohet për “tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas këtyre dy akuzave, Ymeri mund të dënohet nga Gjykata e Tiranës maksimumi me 7 vjet burg. Ai nesër pritet të dalë para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndërkohë që vetëm një ditë pas vrasjes, e cila u mendua fillimisht se viktimat ishin dy grabitës, hetimet po drejtohen në një pistë tjetër. Hetuesit kanë dyshime në lidhje me ngjarjen për faktin se disa nga deklarimet e marra prej saj, janë kontradiktore apo që nuk kanë përputhje të drejtë lineare.

Dyshimet

Çifti Ymeri deklaroi në polici se dy të vrarët, të maskuar dhe të armatosur hynë në banesën e tyre për të kryer grabitje. Ymeri iu tha hetuesve se ishte në gjumë në katin e dytë të banesës kur hynë grabitësit. Sipas tij, njëri prej autorëve kishte hyrë në dhomë dhe po kontrollonte për paratë. “Vrapova menjëherë dhe e kapa në befasi. Nuk e di as vete sesi ia mora armën që ai mbante në dorë. Ishte njësoj sikur t’ia kisha marrë një fëmije, aq e thjeshtë ishte. Ai mu vërsul por unë qëllova”, mësohet të ketë thënë në polici 46-vjeçari, duke shtuar se e kishte bërë këtë veprim për t’u vetëmbrojtur. Por gjatë kontrollit të ushtruar dje në banesën e tij u gjet një predhë, e cila nuk i përket armëve të sekuestruar nga policia. Kjo e fundit dyshon se bëhet fjalë për një tjetër armë të pagjetur, me të cilët janë qëlluar dy të rinjtë. Gjithashtu policia ende nuk ka një version zyrtar nëse është tentativë grabitje dhe vrasje për vetëmbrojtje.

Sipas policisë këqyrja e kryer ka nxjerrë se personat janë qëlluar me më tepër se një armë. Për këtë gjë, Ymeri është shpjeguar se fillimisht ka qëlluar me armën e njërit prej autorëve, të cilit ia mori nga dora. Sipas tij, pasi i ka qëlluar të dy, i ka marrë armën edhe autorit të dytë dhe ka qëlluar sërish mbi dy personat, megjithëse ata ndodheshin në dysheme të gjakosur. “Gjithçka ka ndodhur në gjendje paniku. U vetëmbrojta duke i qëlluar me armë e tyre”, është shprehur në polici Ymeri. Lidhur me të kaluarën e dy viktimave, nga verifikimet e kryera nuk është zbuluar asnjë ngjarje e shkuar kriminale në të cilën kanë qenë të implikuar. Gjithashtu rezulton se ata nuk kanë qenë më parë të dyshuar nga policia për ndonjë ngjarje kriminale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat