Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për vrasësin e balerinës

Kronikë e zezë

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për vrasësin e balerinës

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 14:39

Prokuroria e Tiranë ka kërkuar burgim të përjetshëm për Artur Kuliçin, të akuzuarin për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e një balerine në një lokal nate në periferi të kryeqytetit.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka dalë në konkluzionin se Artur Kuliçi, PARA se të ekzekutonte balerinën Sonila Dervishi (Tafa) më 5 prill të vitit 2013, ka pasur një zënkë me disa persona në ambientet e brendshme të lokalit të natës, çka ka detyruar trupat e sigurisë ta nxirrnin jashtë tij. Rojet e sigurisë, kanë lejuar më pas që njëri prej grupeve rivale të hynte brenda, çka duket se ka irrituar jo pak Kuliçin.

Në dosjen e prokurorisë, thuhet se Artur Kuliçi është rikthyer sërish tek lokali rreth orës 03:30, duke qëlluar me breshëri kallashnikovi, në drejtim të hyrjes kryesore. Plumbat i kanë marrë rastësisht jetën balerinës, Sonila Tafa, ndërsa sipas prokurorisë me veprimet e tij, Artur Kuliçi ka rrezikuar jetën e shumë personave të tjerë, fakt ky që e rendon jo pak pozitën e këtij të pandehuri.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar me një automjet, i cili më pas është gjetur në shtëpinë e një mikut të tij. Nga ky moment, autori Artur Kuliçi është larguar dhe nuk është bërë i mundur ndalimi i tij. Kuliçi, është nipi i ish-zv/drejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj.

Gjykata dha për të masën e arrestit me burg në mungesë deri në përfundim të hetimeve.

Kuliçi në kërkim ndërkombëtar

Artur Kuliçi nuk është arrestuar ende, ndaj policia e ka shpallur atë në kërkim ndërkombëtar. Me shumë gjasa ai do të gjykohet në mungesë dhe nëse gjykata bindet për fajësinë e tij, pritet të japë në ngarkim të tij një dënim të rëndë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat