Arrestohen “babagjyshët” e grabitjeve

Kronikë e zezë

Arrestohen “babagjyshët” e grabitjeve

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 10:30

Goditet grupi i babagjyshave që sulmuan vitin e kaluar një argjendari në një qendër tregtare në juglindje të Tiranës, prej nga ku u mor e gjithë sasia e mallit që ndodhej në vitrinat dhe tabakët e saj. Banda e goditur është pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Ilir Kupa, i arratisur nga një burg në Greqi, një vit e gjysmë më parë, ndërsa ky i fundit u arrestua nga policia në janar të këtij në afërsi të fshatit Domje të Tiranës. Grupi përbëhej prej tetë personash prej të cilëve dy u arrestuan dje, një u vra në Maqedoni në muajin Korrik, drejtuesi i saj Ilir Kupa u arrestua në janar, që katër të tjerë janë në kërkim. Lajmi u konfirmua dje nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, ndërsa zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Departamentin e Rendit, Altin Qato, i cili edhe njoftoi arrestimin e dy të dyshuarve të ngjarjes, Agustin Sula me banim në Durrës si dhe Hajdar Sefa (Xaka), nga fshati Nojë i Krujës dhe me banim në Fushë- Krujë. Ndërkaq mbrëmë vonë, policia arrestoi edhe personin e tretë të dyshuar për krimin, Julian Qerushin, 25 vjeç fshati Borizanë i Krujës.

Sipas policisë, grupi prej tetë personash, deklaratës së dhënë nga Qato, është sipas Policisë përgjegjës, për nëntë grabitje, 7 prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe dy në Strugë, një prej të cilave në Maqedoni, një në Strugë vetëm gjashtë ditë pas grabitjes në qendrën tregtare në Tiranë. Po kështu ata janë përgjegjës edhe për grabitjen e ndodhur në muajin korrik në Dibër të Madhe, ku pronarët e argjendarisë u përleshën me grabitësit dhe një prej agresorëve, Miljan Elezi, mbeti i vdekur dhe një prej argjendarëve u plagos rëndë. Agustin Sula dhe Hajdar Sefa, u kapën nga policia mesnatën e të martës në qytetin e Fushë- Krujës, pranë nënkalimit, ku takohet rruga kombëtare Fushë-Krujë- Laç me atë Fushë- Krujë- Vorë. Të dy këta persona mësohet se më parë, kishin biseduar mes tyre dhe mësohet se kishin lënë një takim pikërisht në vendin ku edhe u arrestuan.

Sipas burimeve të policisë, Agustin Sula, në momentin e arrestimit nga njësitë operacionale ishte duke udhëtuar me një veturë të markës “Mercedez- Benz” S, prodhim i viteve të fundit dhe i shtrenjtë e madje dhe me targa shqiptare të rregullta. Pas ndalimit të tyre, policia kontrolle banesash në shtëpitë e personave të ndaluar, si dhe atyre të shpallur në kërkim. Burimet thanë se veç këtyre të arrestuarve ishin shpallur në kërkim edhe 3 persona të tjerë, që sipas burimeve mësohet se janë, një person nga Tirana, një nga Shkodra, një nga fshati Borizanë e Krujës, një nga Kurbini dhe një nga Shkodra.

Grabitja e qendrës tregtare

Hetimi i grupit të të arrestuarve nisi shumë pak kohë, pas grabitjes së ndodhur në qendrën tregtare që ndodhet në fshatin Lundër të Tiranës, pasi policia u orientua për një grup që drejtohej nga Ilir Kupa i arratisur nga burgu në Greqi. Mbrëmjen e 24 dhjetorit të vitit të kaluar, që ishte edhe mbrëmja e Krishtlindjes, katër persona të veshur me uniforma babagjyshash nuk çuditën aspak njerëzit që ndodheshin në qendrën tregtare, pasi të gjithë mendonin se ishin pjesë e ndonjë feste që organizohej aty. Por e papritura ndodhi kur babagjyshat, mësynë në një argjendari që ndodhet në krahun lindor të blloqeve të dyqaneve të qendrës tregtare, ndërsa me armë në dorë i kërkuan pronarit të dyqanit dhe shitësve që të mos lëviznin. Më tej ata larguan një grua me fëmijë që ndodhej aty për të blerë, ndërsa më pas zbrazën të gjithë vitrinat e argjendarisë, manekinët dhe tabakët që ishin të mbushur me bizhuteri argjendi dhe floriri. Në fund autorët pasi mbushën thasët u larguan nga vendi i ngjarjes, me një veturë “Mercerdez- Benz”, i cili u gjeti djegur në afërsi të fshatit Priskë, ku autorët ishin larguar me një prej veturave. Vlera e mallit të grabitur në argjendari sipas burimeve të policisë referuar të dëmtuarit besohej se arrinte në rreth 300-400 mijë euro. Katër muaj pas kësaj ngjarjeje, me 30 prill një tjetër grabitje argjendarie u regjistrua por tashmë në Strugë, kur argjendari Cirkon, u sulmua nga një grup prej katër personash me “Kallashnikovë” dhe me pistoleta. Tre persona një prej tyre pronar i argjendarisë u plagosën rëndë. Katër ditë më vonë, policia maqedonase arrestoi një shqiptar nga fshati Ladorisht që kishte siguruar mjetet grabitësve. Më vonë me 29 korrik, të këtij viti, personat sulmuan argjendarin në Dibër të Madhe, ku mbeti i vrarë Milian Elezi, nga shkëmbimi i zjarrit me pronarët e argjendarisë “Ererbara Gold”. Rama: Iku koha e ikjes në drejtim të paditur Kryeministri Edi Rama, në një status të postuar në faqen e tij zyrtare nga Beogradi ku po zhvillon një vizitë disaditore në kuadër të samitit të 16 vendeve të Europës Juglindore me Kinën, përgëzoi Policinë e Shtetit, për operacionin e arrestimit të grupit të personave që sipas tij morën famë, si babagjyshat e Vitit të Ri. “Përgëzime Policisë për arrestimin e grabitësve që morën famë si "babagjyshat e Vitit te Ri". Po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur !”,- shkruante Rama dje në një nga statuset e tij në rrjetin social Facebook, ndërsa ishte i angazhuar në takimet e nivelit të lart në Beograd me kryeministrin kinez Li Keqiang si dhe me atë serb Aleksandër Vuçiç, ku edhe u nënshkruan disa marrëveshje. Në këtë mënyrë Rama ironizoi edhe deklaratën e djeshme të PD- së që akuzonte qeverinë për përkeqësimin e rendit sipas kësaj të fundit.

Grupi kreu 9 grabitje në një vit

Edhe pse policia regjistroi si grabitjen më të rëndë të grupit në Shqipëri së paku, grabitjen në qendrën tregtare ndërsa të tjerat ishin të mëhershme, të dhënat e para të policisë lidheshin pikërisht me Ilir Kupën i cili u kap në janar nga policia në afërsi të Domjes në tentativë për të kryer grabitjen. Edhe pse Ilir Kupa, u arrestua dhe u ngritën dyshime se ai ishte drejtuesi i grupit që kryente grabitjet, policia u tregua e rezervua për detajet duke ruajtur sekretin dhe duke nisur identifikimin e lidhjeve shoqërore të Kupës në Shqipëri dhe në Greqi, apo në vendet për rreth. Po kështu, policia identifikoi edhe lidhjet e personave të tjerë të dyshuar, duke siguruar edhe numrat e tyre të telefonit apo të të afërmve të tyre. Në këtë mënyrë strukturat e Drejtorisë Operacionale nisën gjurmimin vëzhgimin dhe përgjimin e tyre. Ndërkaq hetuesit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, hetimin ndaj pjesëtarëve të grupit u regjistrua në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal ndërsa hetimi nisi të ndiqej me metoda speciale. Nga hetimi dhe vëzhgimi i tyre, policia ka mësuar mjaft detaje që më pas çuan policinë në zbulimin e të gjithë grupit të grabitësve. Policia tha se kishte dokumentuar në përgjegjësinë e këtij grupi të udhëhequr nga Ilir Kupa, së paku 9 grabitje brenda një harku kohor prej rreth një viti. “Për të gjitha këto ka prova të pakontestueshme”,- tha një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit dje në mbrëmje për “Shekullin”. Ndërkaq policia ka sekuestruar bizhuteri, armë, dhe shumë sende të tjera të vlefshme që sipas hetuesve besohet se janë vjedhur në argjendaritë në Tiranë, Fushë- Krujë, Durrës, apo edhe Strugë e Dibër e Madhe. /Shekulli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat