Grabitën TEG-un një vit më parë, arrestohen ‘Babagjyshat’, Ilir Kupa kreu i bandës

Kronikë e zezë

Grabitën TEG-un një vit më parë, arrestohen ‘Babagjyshat’, Ilir Kupa kreu i bandës

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 10:06

Një vit pas grabitjes spektakolare në një argjendari në qendrën tregtare TEG, policia ka arrestuar autorët të cilët e realizuan grabitjen të veshur si babagjysha të Vitit të Ri. Operacioni i policisë, i koduar ‘Babagjyshat’ i finalizuar me sukses në sajë të bashkëpunimit të policisë së kryeqytetit me policitë e disa rretheve, ka bërë të mundur vënien në pranga të 3 personave dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve. Sipas policisë grupi kriminal përbëhej nga 8 persona; Tre personat e vënë në pranga janë Agustin Sula, 25 vjeç, nga Berati me banim në Durrës, i dënuar më parë me 23 vjet burg për grabitje me pasojë plagosjen e dy personave, Hajdar Sefa, 30 vjeç, nga Kruja, i dënuar gjithashtu për grabitje të armatosur dhe Juljan Qerushaj, 29 vjeç, nga Borizana, Fushë-Krujë.

Ndërkohë, njëri prej anëtarëve të këtij grupi të strukturuar kriminal është shtetasi nga Elbasani, Miljan Elezi i cili mbeti vrarë në një grabitje të ngjashme në Dibër të Madhe pak muaj më parë. Sipas policisë, ideatori i grabitjes spektakolare dhe kreu i grupit kriminal është Ilir Kupa, shqiptari i arratisur nga burgjet e Greqisë, i cili tashmë vuan dënimin në Shqipëri.

27-vjeçari, nga Fushë-Kruja i arratisur nga burgu i Trikallas, Greqi në mars të 2013, ra në prangat e policisë së Tiranës në muajin janar të këtij viti. Në atë kohë u përfol për një lidhje të tij me grabitjen e famshme, por 27-vjeçari i mohoi deri në fund akuzat duke i cilësuar qesharake.

Tre personat e tjerë të shpallur në kërkim janë shtetasit: F.P., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë, D.K., 36 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë dhe S.K., 31 vjeç, banues në Kurbin.

Në një deklaratë për mediat lidhur me finalizimin e suksesshëm të operacionit policior, nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato bëri me dije se personat në fjalë janë autorë të dhjetëra grabitjeve të ndodhura në vendin tonë vitin e fundit. Kështu, gjatë periudhës 2013-2014 grupi i strukturuar kriminal ka realizuar: vjedhjen e një argjendarie në Kuçovë, vjedhjen e një argjendarie në Laç, vjedhjen e një argjendarie Fushë-Krujë, vjedhjen e një automjeti me pasojë plagosjen e një personi në Fushë-Prezë, vjedhjen e dy automjeteve në Fushë-Milot, vjedhjen e argjendarisë në qendrën tregtare TEG, vjedhjen e një argjendarie në Strugë, vjedhjen e një argjendarie në Dibër të Madhe. Në banesën e të arrestuarve policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë TT, një armë pistoletë tip ‘Zasatava’, peshore elektronike për peshimin e floririt, Lap top, varëse, unaza e byzylykë floriri, doreza, maska, rroba kamuflazhi ushtarake, 98 karta sim, dokumente të falsifikuara.

Ngjarja ndodhi më 24 dhjetor të një viti më parë, ku katër persona të maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri grabitën ar dhe sende të tjera me vlerë disa qindra mijë EURO në qendrën tregtare TEG dhe arritën të largohen të pashqetësuar nga vendi i ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat