Vret grabitësit në shtëpi, kryefamiljari: I qëllova me armën e tyre, u vetëmbrojta

Kronikë e zezë

Vret grabitësit në shtëpi, kryefamiljari: I qëllova me armën e tyre, u vetëmbrojta

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 09:12

Tentojnë të grabisin banesën e biznesmenit të ndërtimeve por mbeten të vrarë prej tij. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në Selitë të Tiranës kur dy të rinjtë Adnand Luli, 25 vjeç dhe Ervin Shaba, 26 vjeç kanë hyrë në shtëpinë dykatëshe të 45-vjeçarit Flamur Ymeri me qëllim grabitjen. Ky është së paku versioni i parë i policisë e cila thotë se po heton pistën e grabitjes, ku autorët mbetën të vrarë, ndërsa burimet e policisë thonë se po verifikojnë edhe konflikte të tjera të mundshme. Pavarësisht kësaj hetuesit thonë se deri më tani, nuk ka të dhëna apo informacione për version tjetër. Autorët e maskuar dhe me armë janë përleshur me të zotin e shtëpisë i cili ka mundur t’i rrëmbejë armën nga dora njërit prej tyre dhe të hapë zjarr. Për pasojë mbetën të vdekur në vend të dy grabitësit e dyshuar të cilët u identifikuan në mesditë nga familjarët e tyre. Mësohet se dy autorët të cilat janë banorë të Selitës, u gjetën nga policia të vrarë në banesën e Ymerit. Ata ishin të maskuar me kapuç në kokë dhe me dorashka dhe në shpinë mbanin çantë sportive. Trupat eviktimave u tërhoqën në orët e pasdites nga morgu prej familjarëve të tyre.

Ngjarja

“Alo policia? Jam Flamur Ymeri kam në shtëpi dy persona të vrarë. I kam vrarë unë. Më hynë në shtëpi për të grabitur”. Më këto pak fjalë Flamur Ymeri 45-vjeç, banor i Selitës në periferinë jugore të Tiranës, njoftoi dje në mëngjes sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Pasi ka dhënë adresën nëpërmjet telefonatës, në banesën e tij mbërritën dhjetëra efektivë policie që nisën menjëherë me veprimet në vendin e ngjarjes dhe hetimin e saj.Menjëherë sapo u gjetën trupat e pajetë të dy të rinjve, policia shoqëroi në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës Flamur Ymerin, i njohur në fushën e ndërtimeve në kryeqytet dhe bashkëshorten e tij, Entela Ymeri, 43 vjeçe. Për shkak të situatës së krijuar, mësohet se çifti ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike në momentin që në banesën e tyre mbërriti policia. Ata janë marrë në pyetje për disa orë me radhë me qëllim zbardhjen e mekanizmit të krimit. Burime nga policia thanë se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe në bazë të dëshmisë së çiftit është bërë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes. Së paku nga hetimet e para, hetuesit kanë mësuar se mëngjesin e djeshëm bashkëshortja e Ymerit kishte përgatitur dy vajzat e mitura për në shkollë të cilat i merr pranë shtëpisë furgoni i shkollës. Pasi përcolli dy vajzat, gruaja 43-vjeçare nisi të pastrojë shtëpinë. Sipas burimeve ajo fillimisht kishte larë shkallët e jashtme që lidhin katin e parë me të dytin dhe më pas nisi të lajë oborrin dhe për këtë arsye kishte lënë hapur portën kryesore. Në një moment ajo ka hyrë brenda në katin e parë dhe kur ka dalë ka vënë re se shkallët të cilat i kishte larë pak më parë ishin bërë me gjurma balte. Ajo ka kontrolluar për të parë se kush kishte hyrë por ka ndjerë tytën e pistoletës në kokë. Një person me maskë dhe i armatosur i tha të mos lëvizte. Ndërsa Flamuri ndodhej në katin e dytë gjumë.

Menjëherë ai brofi në këmbë dhe ka vënë re se në dhomën përballë kishte hyrë një person i maskuar, që kontrollonte dollapët e gjithçka aty. “Vrapova menjëherë dhe e kapa në befasi. Nuk e di as vete sesi ia mora armën që ai mbante në dorë. Ishte njësoj sikur t’ia kisha marrë një fëmije, aq e thjeshtë ishte. Ai mu vërsul por unë qëllova”,- mësohet të ketë thënë në polici 45-vjeçari duke shtuar se e kishte bërë këtë veprim për t’u vetëmbrojtur. Pasi qëlloi të vdekur në vend autorin në një prej dhomave të gjumit në katin e dytë, Flamur Ymeri ka dalë në korridor pranë derës kryesore ku konstatoi autorin tjetër i cili kërcënonte me pistoletë gruan e tij. Ymeri i ka thënë gruas të mos shqetësohej por ajo ishte e traumatizuar ndërsa ka mundur që me bërryla të largojë grabitësin i cili në atë moment kishte drejtuar armën nga i zoti i shtëpisë. Dyshohet se në këtë moment 45-vjeçari ka zbrazur sërish armën duke qëlluar me autorin e dytë. Sipas policisë, Ymeri ka marrë pistoletën e të vrarit të dytë dhe ka nisur të qëllojë sërish disa herë mbi të. Më pas ai ka njoftuar sallën operative dhe ka pritur në banesë forcat e policisë. Shtëpia dykatëshe e familjes Ymeri u rrethua nga forca të shumta policie të cilat shoqëruan çiftin. “Policia ka gjetur dy trupat e pajetë njërin në dhomën e gjumit dhe tjetrën pranë derës kryesore. Entela vetëm qante dhe ka qenë e vështirë marrja e saj në pyetje”, shtuan burimet policore.

RRËFIMI

Familjarët: Grabitësit hynë në shtëpi

Ngjarja e ndodhur në banesën e Flamur Ymerit ka shokuar jo pak familjarët e tij. Fill pas ngjarjes, vëllezërit e tij kanë qëndruar për disa orë tek porta e banesës për të ndjekur veprimet e policisë. “Grabitësit i hynë në shtëpi. Ata janë vrarë në dhomën e gjumit. Vëllai i im i ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes ekstreme. Ata do ta vrisnin së bashku me gruan” u shpreh vëllai i Flamur Ymerit i cili heziton të japë detaje të tjera për shkak të frikës se çdo të ndodh pas kësaj ngjarjeje. “Unë di që vëllai im nuk kishte armë në shtëpi. Nuk kemi shumë të dhëna sesi ka ndodhur ngjarja pasi nuk e kam takuar vëllanë. Ai u shoqërua menjëherë nga policia dhe nuk kamë folur me të. Gjithçka ka ndodhur pak minuta pasi kanë dalë nga shtëpia dy vajzat e tij. Ato janë në shkollë” u shpreh më tej vëllai i 45-vjeçarit. Disa metra larg banesës së Ymerit jetojnë prindërit e tij të cilët të alarmuar mbërritën menjëherë në mëngjes pas ngjarjes. Ka qenë e vështirë për të afërmit që të qetësojnë nënën e Flamurit e cila qante fatin e të birit. “Çfarë qe ky siklet që i ndodhi djalit tim. Ai ishte në gjumë, kush i hyri në shtëpi” kanë qenë fjalët që përsëriste duke qarë nëna e tij e moshuar. Gjatë ditës së djeshme, të afërmit e familjes Ymeri kanë vizatur prindërit e Flamurit të cilët kanë qenë në gjendje shoku. Sipas tyre Flamuri nuk i ka bërë keq kurrë njeriu por në këtë rast ata shprehen se e ka bërë për të mbrojtur veten dhe bashkëshorten.

Fqinjët: Ngjarja një fatkeqësi për Flamurin, është njeri i mirë

Hyrja në banesë e grabitësve dhe vrasja e tyre nga kryefamiljari ka shokuar edhe fqinjët e këtij të fundit. “Jam e tmerruar nga ngjarja. Nuk më besohet që i ka ndodhur Flamurit dhe Entelës. Janë njerëzit më të mirë në lagje. Nuk kanë pasur kurrë probleme me askënd por madje ndihmonin këdo që kishte nevojë” shprehet Bukurie Hasani, fqinje e familjes Ymeri. Ajo tregoi se banesa e saj është grabitur dy herë gjatë dy viteve por ende nuk dihen autorët. “Ka dy vjet që në këtë zonë ndodhin shumë grabitje. Vetëm shtëpinë time e kanë grabitur dy herë persona që ende nuk janë kapur” shtoi më tej Hasani. Pothuajse të gjitha banorët e zonës pas ngjarjes janë mbledhur parabanesës së 45-vjeçarit në mbështetje të tij. Ata kanë deklaruar se do të vepronin njësoj nëse do të kapnin hajdutin në shtëpitë e tyre. “Ngjarje e tmerrshme si mund ti ndodh Flamurit kjo gjë. Ai kur shihte dikë të sëmurë e çonte menjëherë në spital me shpenzimet e veta. Ishte njeri i përsosur i ka ndihmuar të gjithë në këtë lagje” tregon Zenija e cila jeton në banesën ngjitur me banesën e familjes Ymeri. “Në mëngjes pashë Entelën që përcolli vajzat për në shkollë pasi ato vjen i merr furgoni i shkollës. Më pas ajo po bënte punët e shtëpisë. Dola në ballkon dhe e përshëndeta kur ajo ndodhej në oborr. Madje e pyeta sesi e kishte vajzën sepse ishte sëmurë. Më tha se ishte më mirë dhe unë u futa brenda në shtënëpi. Ka qenë para orës 07:30” tregon Zenija duke shtuar se nuk kishte dëgjuar asnjë zhurmë. “Nuk kam dëgjuar asnjë zhurmë megjithëse i kemi shtëpitë ngjitur. Vetëm kur kam parë pas orës 08:00 forca të shumta policie para shtëpisë. Mendova në fillim mos janë për aksionin e energjisë elektrike pasi kanë disa ditë që vijnë në këtë lagje. Por kurrë nuk më shkoi mendja për diçka të keqe. Kur kam parë Entelën të dilte nga shtëpia duke qarë me të madhe dhe e mori policia me makinë aty kuptova se diçka kishte ndodhur. Më pas dola menjëherë dhe mësova se kishin hyrë grabitësit në shtëpinë e tyre dhe Flamuri i kishte vrarë. Flamuri dhe Entela kanë parë tmerr me sy. Grabitësit u kanë drejtuar armën dhe ata mund t’i vrisnin kështu Flamuri është mbrojtur. Po sikur të kishin qenë fëmijët aty? shton më tej Zenija. “Kur kam parë të ëmën e Flamurit jam mërzitur shumë. Ajo vetëm qante ndërsa të afërmit mundoheshin ta qetësonin. Kjo është një fatkeqësi për Flamurin pasi ai është njeri i mirë. Jam shumë e sigurt që ka qenë i detyruar t’i vriste pasi jeta e tij ka qenë në rrezik sepse ne e njohim dhe ai nuk vret dot një mizë” tregoi Zenija. Ndërkohë banorët e zonës shprehen se gjatë kohëve të fundit kanë ndodhur një sërë grabitjesh në këtë zonë. “Kemi frikë të rrimë në shtëpitë tona pasi vijnë “maskat” dhe na grabisin. Vetëm hajdutit nuk i ruhesh dot. Ata vijnë edhe me armë dhe të vrasin” shprehet një banor i zonës.


HETIMI

Policia: Viktimat banorë të Selitës, ishin shokë me njëri-tjetrin

Policia e Tiranës bëri të ditur pasditen e djeshme identitetin e dy të rinjve të vrarë teksa dyshohet se po tentonin të grabisnin banesën e një biznesmeni ndërtimi. Adnand Luli, 25 vjeç dhe Ervin Shaba, 26 vjeç të dy banues në Selitë janë viktimat të cilët u identifikuan në morg nga familjarët e tyre. Policia dyshon se njëri prej tyre, pikërisht Ervin Shaba ka qenë me precedent penal, por ende nuk ka detaje rreth skedës së tyre. “Pas identifikimit të tyre policia ka nisur hetimet për të verifikuar të shkuarën e tyre. Paraprakisht dyshohet se Shaba ka qenë me precedent penal” thanë për gazetën burimet policore. Ndërkohë që grupi hetimor dyshon se Shaba dhe Luli në bashkëpunim me njëritjetrin kanë mbajtur prej disa ditësh në vëzhgim në distancë banesën e Flamur Ymerit për të realizuar më pas planin për të kryer grabitjen. Mëngjesin e djeshëm të armatosur me automatik dhe pistoletë “Scorpions”, dy të rinjtë kanë hyrë në banesën e Ymerit. Duket se ata nuk e kanë menduar se do të mbeteshin viktima pikërisht nga arma e tyre e cila do të binte në duart e tëzotit të shtëpisë. “Dy të rinjtë janë gjetur të mbuluar me gjak brenda në banesë, njëri në dhomën e gjumit dhe tjetri pranë derës kryesore. Ata kishin veshur atlete, tuta, xhup të zi ndërsa kishin vënë maskë në kokë dhe dorashka. Në shpinë ata mbanin çantë sportive” thanë burimet policore. Gjithashtu nga hetimet rezulton se armët e gjetura në vendngjarje ishin në posedim nga dy viktimat. Gjatë kontrollit në banesën e Flamur Ymerit nuk është gjetur asnjë armë. Pas këqyrjes në vendngjarje, trupat e pajetë të tyre u transportuan në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Nga ekspertiza e mjekësisë-ligjore rezultoi se të rinjtë kishin marrë plagë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Policia tha se ata janë qëlluar me dy armë të ndryshme. Vetë Ymeri ka dëshmuar para grupi hetimor se pasi qëlloi me automatik mbi ta, mori dhe pistoletën e autorit të dy dhe qëlloi sërish në gjendje të rëndë psikologjike. Ndërkohë mesditën e djeshme janë paraqitur disa qytetarë në ambientet e morgut në spitalin “Nënë Tereza” më fotot e djemve të tyre për të bërë identifikimin e viktimave. Burime nga policia thanë se dy viktimat u identifikuan nga familjarët e tyre të cilët tërhoqën trupat në orët e pasdites. Pavarësisht rrethanave, vdekja e dy të rinjve ka shkaktuar dhimbje tek familjarët e tyre. Ata janë shprehur të shokuar dhe të habitur nga ngjarja pasi nuk e dinin që djemtë e tyre kryenin grabitje. Dy familjet kanë hapur dyert e mortit dhe të afërm dhe miq kanë mbushur shtëpitë e tyre. Policia tha se ka marrë në pyetje familjarët e dy të rinjve por ata kanë “ngritur supet’ para kësaj ngjarje duke u shprehur se nuk ishin në dijeni të veprimeve kriminale të djemve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat