Grabitja në Tiranë, arrestohen “babagjyshët”

Kronikë e zezë

Grabitja në Tiranë, arrestohen “babagjyshët”

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 19:12

Tiranë- Policia ka vënë në pranga “babagjyshët” grabitës që u futën të armatosur në një argjendari dhe arritën të merrnin një sasi të konsiderueshme ari dhe argjendi.

Sipas policisë grupi kriminal ishte i përbërë nga tetë persona, të cilët rezultojnë përgjegjës edhe për disa grabitje të tjera në argjendari të ndryshme. Njëri nga të dyshuarit kryesorë të grabitjes është edhe Ilir Kupa, shqiptari i kërkuar nga Greqia për arratisje nga burgu, dhe një sërë veprash kriminale.

Si ndodhi ngjarja

Bëhet fjalë për supergrabitjen që ndodhi në 24 dhjetor 2013 në Tiranë, ku katër persona të veshur si babagjyshë të Vitit të Ri, hynë të armatosur me kallashnikovë në një qendër tregtare, dhe grabitën një dyqan argjendarie.

Njëri prej tyre nxori një grua bashkë me një fëmijë 10 vjeç që ndodhej brenda argjendarisë, dhe siguroi derën e saj, ndërsa tre të tjerët zbrazën raftet me ora luksoze, si dhe objektet e florinjta dhe argjendta.

Ata arritën të vidhnin një sasi të madhe bizhuterish, nën kërcënimin e armëve (kallashnikovë), dhe u larguan me një automjet tip “Benz”, të cilin pak minuta më vonë, policia e gjeti të braktisur dhe nën flakë në rrugën e Surrelit.

Dy kallashnikovët që u përdorën për grabitjen, u gjetën në afërsi të Sanatoriumit, mëngjesin pas ngjarjes, dhe u dorëzuan menjëherë në laboratorin shkencor. Sipas të dhënave të policisë, armët u hodhën gjatë rrugës nga grabitësit, për të humbur gjurmët e drejtimit.

Kush ishte kreu i bandës

Sipas burimeve nga policia, grupi i grabitësve drejtohej nga Ilir Kupe, i arratisur nga Burgu i Trikallas në Greqi. Ilir Kupa, i cili tashmë ndodhet pas hekurave, mendohet të jetë edhe ideatori i grabitjes spektakolare në Tiranë. Por ky grup kriminal dyshohet edhe për vjedhje të tjera në qytete të ndryshme të vendit, por edhe jashtë kufijve, kryesisht në Maqedoni.

Rama: Përgëzime policisë, iku koha e të ikurve në drejtim të paditur

Arrestimi i autorëve të grabitjes së ndodhur vitin e kaluar në TEG, është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një statusi në Facebook, përgëzon policinë, dhe thotë se tashmë po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur.
“Përgëzime Policisë për arrestimin e grabitësve qe morën famë si "babagjyshat e Vitit të Ri". Po ikën koha e të ikurve në drejtim të paditur!”, shkruan kryeministri Rama.
vijon

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat