Rrahu me shkop bejsbolli shoferin, 45 orë punë të detyrueshme policit

Kronikë e zezë

Rrahu me shkop bejsbolli shoferin, 45 orë punë të detyrueshme policit

Më: 29 nëntor 2014 Në ora: 09:38

Gjykata e Tiranës ka dënuar me punë të detyrueshme një efektiv policie për shkak se keqtrajtoi një shofer betoniereje.

Bëhet fjalë për Xhevdet Dedja, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 45 orë punë të detyrueshme pasi në muajin prill ka rrahur me shkop bejsbolli shtetasin Gentjan Beqirllari.

Fillimisht gjykata e ka dënuar me 2 muaj burg efektivin e policisë, por më pas ky dënim është konvertuar në një dënim me kusht, duke e detyruar të dënuarin të kryejë 45 orë punë të detyruar pranë një ndërmarrje shtetërore.

Gjatë procesit gjyqësor polici nuk ka pranuar në asnjë moment keqtrajtimin e qytetarit, por në momentin e arrestimit kolegët e tij i kanë sekuestruar brenda në makinë dhe shkopin e bejsbollit.

Sipas vendimit të gjykatës, Xhevdet Dedja, ka qenë i dehur në momentin kur ka keqtrajtuar qytetarin, ndërkohë që ky fakt është argumentuar nga polici se kishte pirë vetëm disa birra në Petrelë,dhe këtë gjë e kishte kryer jashtë orarit të punës.

I dëmtuari muajin prill 2014 në orën 14:30, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij tip betoniere me targa TR 1065 N në pronësi të firmës “Alba Beton” nga kantieri që ndodhet në vendin e quajtur “Ura e Farkës”, për në resortin “Palma Nova”.

Në vendin e quajtur Dobresh, përgjatë rrugës dytësore Farkë Qafë-Kërrabë, shtetasi Gentjan Beqirllari i ka bërë me shenjë nëpërmjet borisë që të ndalonte një mjet i tipit “Benz 200”, model i vjetër, ngjyre gri. Shtetasi Gentjan Beqirllari ka ndaluar mjetin dhe ka parë që nga automjeti tjetër që i bëri shenjë ndalimi ka zbritur një person me uniformë policie, i cili e ka pyetur shtetasin Gentjan Beqirllari se ku do të hidhte beton.

Shtetasi Gentjan Beqirllari e ka vënë në dijeni punonjësin e policisë për punën që do të kryente, ndërsa punonjësi i policisë i është përgjigjur se nuk lejohej të hidhej beton për shkak se ishin ndërprerë punime të tilla.

Shoferi ka vënë re së punonjësi i policisë kishte konsumuar alkool dhe kur ky i fundit i ka kërkuar dokumentet e mjetit, ai nuk ka pranuar t’ia japë punonjësit të policisë. Në këtë situatë, punonjësi i policisë i nervozuar ka shkuar tek mjeti i tij, nga i cili ka nxjerrë prej bagazhit të tij një shkop si ai i bejzbollit, ngjyre kafe dhe me të në dorë ka hapur derën e mjetit ku ndodhej shtetasi Gentjan Beqirllari, duke e goditur disa herë këtë të fundit me qëllim që ta zbriste nga mjeti.

Shoferi i betonieres ka mbetur i dëmtuar në disa vende, të cilat kanë shërbyer edhe si prova në gjyqin ndaj efektivit të policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat