Zbulohen bashkëpunëtorët e shqiptarit që plagosi 15 grekë (VIDEO)

Kronikë e zezë

Zbulohen bashkëpunëtorët e shqiptarit që plagosi 15 grekë (VIDEO)

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 11:59

Pas rrëfimit të 31-vjeçarit shqiptar, që plagosi 15 shtetas grekë në një lokal nate, policia helene arriti të zbulojë grupin kriminal me të cilin bashkëpunonte.

Pesë ditë pas ngjarjes, policia zbuloi vendin ku fshihej autori i sulmit, Arbër Bako, duke bërë arrestimin e tij dhe mikut të cilin e strehoi. Ndërkohë që po atë ditë, policia shpalli në kërkim disa shtetas të tjerë, të cilët ishin bashkëpunëtorë të shqiptarit Bako.

Pas dëshmive të shtetasit Arbër Bako, në prangat e policisë greke përfundoi edhe Klodian L. me pseudonimin “Meçi”, i cili dyshohet se kryente vrasje nën urdhrat e të burgosurve. Sipas policisë greke, Klodian L. ka tentuar të vrasë një ushtarak të lartë kundrejt shpërblimit prej 200 mijë euro, ndërsa dyshohet edhe si autor i vrasjes së dy neonazistëve në Greqi.
Policia greke është vënë në kërkim edhe të dy shtetasve të tjerë shqiptarë, një vajzë dhe një djalë me emrin Olti. Ndërkaq, në kërkim janë shpallur edhe një shtetas polak e një shofer taksie, grek.

Gjatë dëshmisë së tij para Prokurorisë greke, Bako ka pranuar përfshirjen në përplasjen me armë në Athinë, ku mbetën të plagosur 15 persona. Ndërsa që kërkoi edhe falje para togave të zeza për veprën e kryer.

Ngjarja

Arbër Bako 31 vjeç, me precedentë të mëparshëm penal, akuzohet si personi i cili mbrëmjen e shtunës së 22 nëntorit, plagosi me automatik “Kallashnikov” 15 persona në një lokal nate. Një ditë pas masakrës, mediet greke publikuan videon e kamerave të sigurisë, ku tregohej shqiptari i cili dilte nga lokali me armën e zjarrit në dorë, ndërsa në një pamje tjetër ai shfaqej duke hyrë në ambientet e lokalit ku ndodhi masakra.

Dëshmitarët okularë deklaruan se shqiptari përpara se të qëllonte me breshëri, është shprehur “Sot të gjithë do të vdesin. Tani do të ketë gjak". Po të njëjtët dëshmitarë tregojnë se, pas sulmit shqiptari u largua me një taksi, madje edhe shoferi i kësaj të fundit është shpallur në kërkim. Hetimet e para të policisë helene bëjnë të ditur se, sulmi i shqiptari dyshohet të ketë ardhur pas debateve që autori pati me një vajzë, me të cilën ndodhej në lokalin e natës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat