Arrestohet ish-kreu i Kadastrës në Lezhë

Kronikë e zezë

Arrestohet ish-kreu i Kadastrës në Lezhë

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 23:03

Ish-kreu i Kadastrës në Lezhë, Shan Gërdhata, është arrestuar sot nga policia e këtij qyteti për shpërdorim detyre.

Gërdhata ka qenë në krye të Kadastrës nga viti 2005 deri në vitin 2012, kohë në të cilën dyshohet se ai ka abuzuar.

Shan Gërdhata, 56 vjeç dhe banues në fshatin Balldre të Lezhës, kishte kohë që ndiqej nga uniformat blu. Ai u vu në pranga në lokalin e tij në fshatin Balldre.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim prej një viti nga policia, pasi gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e arrestit me burg. Ai akuzohet për falsifikim dokumentesh, duke bërë mbivendosje pronash.

Hetimet ndaj tij nisën pas denoncimit në Prokurori nga banorë të cilët kanë pasur probleme me pronat. Gërdhata së bashku me 6 persona të tjerë nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, akuzohen se kanë shndërruar tokën kënetore në zonën turistike të Kunes në Shëngjin, në tokë bujqësore dhe ua kanë shpërndarë disa banorëve.

Në dokumente ata kanë shënuar se këto prona u janë kthyer vite më parë, por dokumentet janë bërë kohët e fundit, ndërkohë që as personat që kanë përfituar tokë nuk e dinë se ku ndodhet prona e tyre.

Deri tani janë arrestuar vetëm 5 prej zyrtarëve, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencën e saj, duke kërkuar dënimin e tij me 6 vite burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat