Vrasja për gjakmarrje, 50 vite burg për vëllezërit Llani

Kronikë e zezë

Vrasja për gjakmarrje, 50 vite burg për vëllezërit Llani

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 11:15

Prokuroria e Kurbinit kërkoi nga 25 vjet burg për dy vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani të akuzuar për vrasje. Organi i akuzës i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të shpallë fajtor dhe të dënojë me nga 25 vjet secilin dy vëllezërit për veprën penale “Vrasje me paramendim” dy herë, një herë e mbetur në tentativë dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit ka ndodhur më 4 nëntor të vitit 2012, kur ata dyshohet se kanë vrarë në pritë Arjan Shkretën dhe plagosën rëndë vëllain e tij Leli Shkreta.

“Nga hetimi, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se këta dy persona janë autorë të vrasjes së shtetasit Arjan Shkreta dhe vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Leli Shkreta, i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga goditjet me armë zjarri automatik nga ana e vëllezërve Llani” thuhet në konkluzionet e organit akuzës, në procesin ndaj vëllezërve Shkreta. Pas kryerjes së krimit, dy të pandehurit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, u larguan në drejtim të paditur duke iu fshehur organeve të drejtësisë. I pandehuri Jetmir Llani, u arratis në Itali duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, dhe mbi bazën e një urdhri të arrestit ndërkombëtar, u arrestua nga policia italiane dhe u ekstradua më datë 15 janar 2014, ndërsa vëllai i tij Muharrem Llani, është në kërkim. Veç kësaj ngjarjeje, Jetmir Llani gjithashtu është edhe autor i dyshuar i vrasjes së babait të dy personave të mësipërm, Mark Shkretës ngjarje e ndodhur në Tiranë.

Ngjarja

Sipas prokurorisë ngjarja ka ndodhur më datë 4 nëntor 2012 rreth orës 15.30, në vendin e quajtur “Lumi Droje”, në fshatin Fushë-Mamurras, Kurbin, kur të pandehurit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, së bashku me një person tjetër të paidentifikuar kanë qëlluar me 52 plumba vëllezërit Arian Shkreta dhe Leli Shkreta, të cilët ishin duke ecur në këmbë përgjatë bregut të lumit për të shkuar në shtëpinë e tyre në fshatin Fushë-Mamurras. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Arian Shkreta, 31 vjeç dhe u plagos rëndë vëllai i tij, Leli Shkreta, 29 vjeç, i cili pasi ka bërë sikur kishte vdekur, derisa, të largoheshin autorët. Më pas ka mundur të zvarritet i plagosur dhe të transportohet nga policia drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Leli Shkreta, menjëherë pas ngjarjes kallëzoi në polici se personat që kishin qëlluar mbi të dhe vëllain e tij ishin pikërisht të pandehurit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, të cilët i njihte më parë, pasi ishin nga një zone dhe më përpara kishin pasur edhe lidhje shoqërore mes tyre, lidhje e cila me pas u kthye në hasmëri mes dy familjeve pas vrasjes së djalit të Jetmir Llanit, më datë 5 qershor 2012, vrasje e cila u krye për motive të dobëta nga ana e vëllezërve Alban dhe Altin Shkreta. Në dëshminë e tij dhënë në prokurori, i plagosuri Leli Shkreta ka shpjeguar se ka qenë duke ecur anës rrugës kur kanë parë shtetasit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, 5-6 metra larg.

“Jetmirin e kam dëgjuar të më drejtohet me fjalët “Mi bej të fala djalit”, dhe menjëherë jam përkulur dhe i kam bërtitur vëllait tim të largohej me vrap, në mbarim të fjalës kam dëgjuar breshëritë e armës. Në atë moment unë kam ngelur i shtrirë në tokë duke e parë që po më afrohej Jetmir Llani, dhe akoma kam dëgjuar breshëri armës në drejtimin tim. Në momentin e fillimit të të shtënave kam ndjerë një plumb të më kapte në shpatull, ndërsa kam parë vëllain tim që po vraponte në drejtim të lumit dhe kam parë Jetmirin dhe Muharremin që po shtinin mbi të, pasi ai po largohej. Unë jam ngritur për tu larguar dhe kam marrë një plumb në këmbën e djathtë dhe përsëri kam munduar të largohem me vrap, duke shfrytëzuar momentin kur Jetmiri ka shtënë në drejtim tim jo me breshëri por me të shtëna të shkëputura” ka dëshmuar i plagosuri. Ai ka rrëfyer se autorët i njihte mirë pasi më parë kishin qenë shokë bashkë.

“Marrëdhënia jone u prish kur njëri nga vëllezërit e mi vrau djalin e Jetmirit për një konflikt që Jetmiri dhe Muharremi kishin me djemtë e dajës sime. Me pas Jetmiri me vrau babain Markun në Tiranë, më shkatërroi shtëpinë në Mamurras dhe më bëri prite mua e vëllait tim për të na vrarë” ka shtuar më tej Leli Shkreta. I akuzuari Jetmir Llani është gjykuar në masë sigurie “arrest me burg” ndërsa Muharrem Llani me masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë. Çështja po gjykohet nga Gjykata e Tiranës e cila pritet të japë vendimin për dy vëllezërit pas konkluzioneve të mbrojtjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat