Gjykata shpall të pafajshëm Shpëtim Gjikën

Kronikë e zezë

Gjykata shpall të pafajshëm Shpëtim Gjikën

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 10:29

Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika. Vendimi u dha mesditën e sotme.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 4 vjet heqje lirie për kryebashkiakun dhe 3 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike, pasi akuzohej për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Kreu i Bashkisë së Vlorës, akuzohej për firmosjen e lejeve të ndërtimit për dy godina, njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin Vlorë-Skelë, pa i kaluar në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë.

Gjika në seancat e mëparshme gjyqësore, kishte kërkuar pafajësi me argumentin se e ka ushtruar detyrën në përputhje me ligjin, në krye të Bashkisë së Vlorës.

Mes të akuzuarve të tjerë në këtë çështje ishte edhe Eleni Dardha, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit në Bashkinë e Vlorës, e cila u shpall e pafajshme.

Gjithashtu, të akuzuarit e tjerë që u shpallën të pafajshëm janë: Gentian Sherifaj, përfaqësues i firmës që ka kryer punimet e ndërtimit në një prej godinave; Blerdi Liçaj, përfaqësues ligjor i firmës, “DECO System”; Gëzim Feta, pronar i truallit ku është ndërtuar një nga dy godinat që janë nën hetimin e prokurorisë.

Gjykata e Tiranës vendosi heqjen e masës së sekuestros për prishjen e pallateve, në vendin e emërtuar “Tre racat”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat