50 vjet burg për dy vëllezërit Llani, vranë për gjakmarrje

Kronikë e zezë

50 vjet burg për dy vëllezërit Llani, vranë për gjakmarrje

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 16:05

25 vjet burg për secilin nga vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani, ka kërkuar Prokuroria e Kurbinit, pasi vëllezërit janë akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” dy herë (një herë e mbetur në tentativë) dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Prokuroria e Kurbinit, theksoi se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, kërkohet shpallja “fajtorë” e dy vëllezërve Llani për vrasjen e Arjan Shkreta, dhe vrasjen e mbetur në tentativë të vëllait të tij Leli Shkreta, ngjarje e cila ka ndodhur më 04.11.2012 në fshatin Fushë-Mamurras, të rrethit Kurbin.

Sipas hetimeve, Jetmir Llani i cili është gjykuar në masë sigurie “arrest me burg”, dhe vëllai i tij Muharremi, që është gjykuar me masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë” për shkak se vijon të jetë në kërkim, janë autorë të vrasjes së Arjan Shkretës dhe vrasjes së mbetur në tentativë të vëllait të tij Leli Shkreta.

Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë nga goditjet me armë zjarri nga vëllezërit Llani, por arriti të shpëtojë, ndonëse i plagosur rëndë, pasi ishte shtirur si i vdekur deri në momentin e largimit të agresorëve nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria deklaroi se motivi i krimit është gjakmarrja, pasi ndërmjet familjeve Llani dhe Shkreta ka patur hasmëri që ka nisur rreth 6 muaj para se të ndodhte kjo ngjarje.

Bëhet fjalë për rastin e ndodhur më 05.06.2012, dhe për të cilin dyshohet se dy djemtë e tjerë të familjes Shkreta, Altin dhe Alban Shkreta, vëllezër të viktimës Arjan Shkreta dhe të të dëmtuarit Leli Shkreta, kanë qëlluar ndaj disa anëtarëve të familjes Llani. Për pasojë ka humbur jetën djali i mitur i të pandehurit Jetmir Llani.

Për këtë vrasje, janë në proces gjykimi dy vëllezërit e tjerë, Altin dhe Alban Shkreta, të cilët akuzohen për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat