Kërcënohet me armë në kokë vajza 21 vjeçare e ministrit të drejtësisë

Kronikë e zezë

Kërcënohet me armë në kokë vajza 21 vjeçare e ministrit të drejtësisë

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 15:36

Betina Naço, vajza 21 vjeçare e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, ka përjetuar çaste tmerri kur dy të rinj e kanë kërcënuar me pistoletë në kokë ne hyrjen e banesës së saj dhe kanë tentuar t'i rrëmbejnë çelësat për të hyrë brenda. Sipas televizionit Abc News, ky lajm është konfirmuar nga burime zyrtare pranë policisë së kryeqytetit, të cilët e kanë dorëzuar materialin referues pranë prokurorisë së Tiranës.

Por ngjarja është mbajtur e fshehtë për gati dy javë dhe vetëm dy ditë më parë, materiali i është përcjellë prokurorisë. Sipas këtij materiali, ku ndodhet edhe kallëzimi penal i 21 vjeçares Betina Naço, ngjarja ka ndodhur pasditen e 12 nëntorit në shesh pushimin e banesës së ministrit Nasip Naço, që ndodhet në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.

Referuar burimeve të policisë dhe prokurorisë, pasditen e 12 nëntorit, Betina Naço e shoqëruar nga nëna e saj, kanë bërë pazarin poshtë banesës së tyre. Pas pazarit ditor, Betina është nisur e vetme drejt apartamentit. Me t’u ngjitur në shkallën e pallatit dhe sapo është afruar në shesh pushimin ku ndodhej dera e apartamentit, ajo ka treguar se është ndeshur me djem të rinj që ishin ulur tek shkallët.

Në kallëzimin e vajzës së ministrit Naço, thuhet se fillimisht njëri nga djemtë e ka pyetur se cilën derë do të hapte, por vajza ka refuzuar t’i përgjigjet duke tentuar të hapë derën e apartamentit. Në këtë moment, thuhet në dosje, njëri prej dy personave ende të paidentifikuar i ka mbyllur gojën me dorë dhe i ka vendosur pistoletën në kokë duke e ulur në gjunjë. Ndërsa personi tjetër ka marrë çelësat për të hapur derën e apartamentit.

Sipas dëshmisë së Betina Naços, në kohën që personi me çelësat në dorë po tentonte të hapte derën, ajo ka mundur t’ia largojë tjetrit dorën që i kishte zënë gojën dhe ka filluar të bërtasë. Në këtë kohë, të dy personat, ende të paidentifikuar nga policia, kanë hedhur çelësat dhe janë larguar me vrap nga hyrja e pallatit.

Sipas policisë, kjo ngjarje është cilësuar si grabitje me dhunë e mbetur në tentativë, por nuk përjashtohet pista e hetimit të ngjarjes për shkak të detyrës së ministrit Nasip Naço. Por ajo që është më e rëndë ka të bëjë me faktin se gjithçka është mbajtur e fshehur nga Komisariati nr.2 dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës, pasi në njoftimet ditore që ato shpërndajnë për mediat nuk e kanë pasqyruar këtë ngjarje. Sipas Abc News, vetëm dy ditë më parë, materiali i policisë i ka kaluar prokurorisë së Tiranës.

Referuar kësaj ngjarje, policia e shtetit ka marrë masa duke ofruar mbikëqyrje për familjen e ministrit dhe banesën e tij, e cila vëzhgohet 24 orë nga efektivë të policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat