“Im bir peng i Naim Zyberit, por nuk e vrau”

Kronikë e zezë

“Im bir peng i Naim Zyberit, por nuk e vrau”

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 09:48

“Djali im është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një personi i cili e mori peng. Djali im ishte fatkeq”. Kështu shprehet Stefan Gjinarari (Gjenerali), babai i Gerd Gjinararit (Gerti Gjenerali), i cili u ekstradua dy ditë më parë në Shqipëri për të vuajtur pranë familjes së tij dënimin e dhënë nga Gjykata e Milanos. 40-vjeçari është personi i dytë i dënuar për vrasjen e Naim Zyberit e ndodhur në spitalin San Paolo të Milanos, ndërsa është dyshuar se një person i tretë ka marrë pjesë në vrasje. Gerd Gjinrari mbërriti në Shqipëri pas më shumë se 22 vitesh.

Stefani tregon në një intervistë për gazetën “Shekulli” se Gerti ishte larguar nga Shqipëria drejt Italisë rreth katër vite para se të arrestohej për vrasje, ndërsa për 18 vitesh ka vuajtur dënimin në burgun e Milanos. Gjenerali u transferua në Shqipëri për të vazhduar dënimin e dhënë për vrasjen e Naim Zyberit. Stefan Gjenerali i njohur si ish-kampioni i Mundjes në Shqipëri me disa medalje ari, tregon për “Shekullin” rreth ngjarjes që e çoi djalin e tij në burg përjetë.

Z. Stefan djali juaj u ekstradua të hënën nga Italia për të vuajtur dënimin në burgjet e vendit të tij. A jeni takuar me djalin?

Po, e takova sot (dje). Isha shumë i emocionuar. Kisha rreth katër vite pa u takuar me të për shkak të largësisë. Tashmë që ai do të vuajë dënimin në Shqipëri do të kem mundësi të takohem më shpesh me të. Kishit dijeni se Gerti do të transferohej për të vuajtur dënimin në Shqipëri? E dija që do të transferohej për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Për ne është më mirë, pasi kam mundësi ta takoj më shpesh. Ditën që erdhi nuk munda dot ta takoj, por shkova të nesërmen dhe e pashë. Ishte mirë. Jam shumë i lumtur që e kam pranë.

Djali juaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit, në një spital në Milano, çfarë dini ju për këtë ngjarje?

Ashtu si të gjithë edhe unë kam dëgjuar për mënyrën sesi ka ndodhur kjo vrasje për të cilën është dënuar djali im së bashku me një person tjetër. Djali im nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen. Kur ka ndodhur ngjarja unë kam qenë këtu dhe kisha rreth katër vite pa e parë djalin. Sipas Gjykatës së Milanos djali im ka shkuar në spital dhe bashkë me një person tjetër kanë vrarë Naim Zyberin, i cili ishte shtruar pasi ishte plagosur nga persona të tjerë në një disko. Nuk kam folur asnjëherë me djalin tim për këtë ngjarje.

A mendoni se ai mund të kryente një vrasje?

Gerti është pika ime e dobët. Është larguar nga shtëpia që adoleshent për një jetë më të mirë drejt Italisë me eksodin e dytë. Atje u stabilizua me punë të rregullt. Por mosha e re, shoqëria bënë që ai të kthehet në fatkeq. Çdo prind nuk pranon që fëmija i tij është i keq. Madje sado që të dëgjojë se ka bërë keq, menjëherë prindi ua hedh fajin personave me të cilët shoqërohet i biri. A ka pasur konflikte djali juaj me Naim Zyberin, kishin njohje të mëparshme? Djali im nuk njihej fare me Naim Zyberin në Shqipëri. Thashë që Gerti u largua drejt Italisë sapo u ndryshua sistemi. Ai ka qenë shumë i rregullt dhe nuk ngatërrohej me askënd. Në Itali punoi për disa vite dhe mundi të siguronte të ardhura. Nga ato që kam dëgjuar di që, në vitin 1997 në kohën e trazirave Naim Zyberi mundi të largohej nga burgu dhe shkoi në Itali. Atje dëgjoi se djali im kishte para dhe e mori peng për t’i marrë paratë. Tentoi ta vriste djalin tim dhe i mori paratë, ishte fat që Gerti shpëtoi.

Si e mësuat lajmin se Gerti akuzohej për vrasjen e bashkatdhetarit të tij?

Ngjarja ka ndodhur diku në vitin 1997- 1998, në atë kohë kisha rreth katër vite pa e parë Gertin. Ai kishte ardhur vetëm njëherë pasi ishte larguar drejt Italisë. Më marrin në telefon dhe më njoftojnë se është vrarë Naim Zyberi dhe për këtë ngjarje akuzohet Gerti. Ky ka qenë momenti më i keq i jetës sime. Nuk dija ku të merrja më shumë informacione. Djali im u arrestua disa muaj pas ngjarjes në Gjermani dhe më pas u dënua me burgim të përjetshëm. Ai nuk e ka pranuar asnjëherë krimin por megjithatë u dënua.

Kur u takuat me djalin tuaj pas kësaj ngjarjeje?

E kam takuar në burg në Milano pas 10 vitesh, pra unë kisha rreth 14 vite pa e parë fare. Kur shkova në burg Gertit i thanë se ke takim me babain. Ai nuk mund ta besonte, kur e pashë kishte ndryshuar shumë. Ishte 22 vjeç kur hyri në burg dhe tashmë është 40 vjeç. Përgjatë këtyre viteve ka lexuar shumë dhe ka bërë palestër, dy gjërat të cilat e kanë mbushur me jetë në burg.

Rrëfimi

Gerd Gjinarari ka më shumë se 22 vite që nuk ka hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë, megjithatë librat, fotot dhe shumë sende të tij, të krijonin përshtypjen se ai jetonte çdo ditë aty. Stefani, është një ish- kampion i sportit të Mundjes në vitet 70 në Shqipëri. Ai është babai i 40-vjeçarit, Gerd Gjinarari. Nga do shikon foto të Gerdit, si dhe shumë libra. Në këtë mënyrë Stefani, është kujdesur që ta kishte të pranishëm të birin në shtëpi nëpërmjet fotove që i kishte vendosur në çdo cep të murit në secilën dhomë, ndonëse prej 17 vitesh ai vuan një dënim me burgim të përjetshëm. Rafte të mbushura me libra, që sipas të atit Stefanit, janë të gjithë të të birit, Gerdit.

“Ja të gjitha këto libra të cilat janë italisht i ka lexuar Gerti. Ai lexon shumë madje në burg mbaroi studimet dhe u diplomua për Psikologji”, thotë Stefani duke treguar rafte të me librat të vendosura një dy faqe muri. 65-vjeçari Stefan Gjinarari, ish-kampion i Mundjes në Shqipëri nuk heziton të tregojë të gjitha medaljet që ka marrë, kur ai garonte duke qenë kampion elitar. Janë me dhjetëra medalje të cilat ai i ka varur në mure. “Kam qenë kampion në Mundje, madje jam shpallur edhe Qytetar Nderi në Vlorë, por ja nuk pata fat me djalin. Kam vuajtur shumë prej tij që kur ra në burg. Ishte periudha, shoqëria, mosha që i shkaktuan këtë fatkeqësi Gertit” tregon Stefani të cilin në lagjen e tij “Tirana e Re” e njohin të gjithë si një njeri të dashur dhe me humor.

Stefani nuk përton të tregojë të gjitha peripecitë që ka kaluar gjatë këtyre 18 viteve, pasi ka pasur probleme të rënda edhe me shëndetin. Me një buzëqeshje që duket sikur e ka të stampuar në fytyrë, ish-kampioni rrëfen se tashmë e keqja ka kaluar. “Tashmë mezi pres të kalojnë ditët dhe të takoj djalin në burg. Sot (dje) u ngrita që në orën 05:00 të mëngjesit dhe gatova shumë lloj ushqimesh për djalin dhe ia çova në burg. Do përpiqem të mos i mungojë asgjë në burg, kam punuar shumë gjithë këto vite vetëm për të” shton më tej 65-vjeçari.

Vrasja

Naim Zyberi u ekzekutua me armë zjarri në spitalin San Paolo në Milano. Ai ishte shtruar pasi mbeti i plagosur gjatë një konflikti në një disko në Itali. Dy personat Gerti Gjinarari dhe Arben Grori shkuan në spital me një tufë me lule duke u prezantuan si shokë të tij. Sapo hynë në dhomën e Zyberit dy personat e dënuar e qëlluan atë duke e lënë të vdekur.

Ekstradimi

Gerdi Gjinarari u ekstradua dy ditë më parë nga Milano, Itali për të vuajtur dënimin në burgjet Shqiptare. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit e ndodhur në vitin 1997 në Milano. Gjinarari u arrestua disa muaj pas krimit në Gjermani dhe prej 18 vitesh vuan dënimin në Itali.

Naim Zyberi, i vrarë në vitin 1997 në Milano njihej si i “forti” i Tiranës në mesin e viteve 1990. Ai u arrestua në fillim të viteve 90 për vrasjen e Gazmend Muçës bashkë me Franc Konomin. Pas hapjes së burgjeve në vitin 1997, Zyberi u lirua për tu largua drejt Italisë. Hakmarrjet e ndoqën atë edhe në Itali ku atentati i parë iu bë në një bar në Torino, ku ai mbeti i plagosur ndërsa u vranë dy shokë të tij. Hakmarrja vijoi edhe në spital ku Zyberi u qëllua me pistoletë ku dhe mbeti i vrarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat