Vdiq Riza Lluka

Kronikë e zezë

Vdiq Riza Lluka

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 14:33

Ka ndërruar jetë në mesditë Riza Lluka – Drejtor i RTV ‘Dukagjini’, pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

I ndjeri Riza Lluka gjatë tërë jetës së tij u dallua si veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe si politikan aktiv.

I lindur në vitin 1943, ishte inxhinier i ndërtimit. Delegat i Kuvendit të Kosovës në periudhën 1982-1990 dhe anëtar e Kryetar i Këshillit për urbanizëm dhe punë komunale në ish-Dhomën e Punës së Bashkuar të Kosovës.

Riza Lluka njihet dhe si kundërshtar i amandamenteve të Republikës së Serbisë me të cilat shuhej autonomia e atëhershme e ish-KSAK-së dhe ka votuar kundër këtyre ndryshimeve në vitin 1989.

Ai ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por atëherë si anëtar i Partisë Parlamentare (1992-1998).

Riza Lluka do mbahet mend edhe si misionar në pajtimin e gjaqeve në SHBA në krye me Anton Çetën gjatë viteve të ’90-ta. Ishte këshilltarë komunal në Kuvendin Komunal të Pejës për vite me radhë.

Lluka mbetet një veprimtar politik i qëndrueshëm dhe koherent në artikulimin e kërkesave dhe nevojave njerëzore, duke ofruar ide dhe shndërruar ato në praktikë.

Duke besuar në vizionin për të ardhmen, ai çdoherë ndërlidhte përvojat nga e kaluara, historia, më qëllim të veprimit të drejtë, human dhe në shërbim të njeriut.

Riza Lluka i kushtonte kujdes të veçantë arsimit, shtimit të rinisë shkollore e studentëve, stimulimit të tyre përmes angazhimit të strukturave të qeverisë dhe aktivizimit të të gjitha resurseve vendore e ndërkombëtare që të gjenden mjete për plotësimin e këtyre nevojave.

Riza Lluka u angazhua në veçanti për aktivizimin e tërë potencialeve ekzistuese të Kosovës.

I ndjeri Riza Lluka deri në ditët e fundit të jetës ishte në krye të RTV ‘Dukagjini’-t në detyrën e Drejtorit.

Riza Lluka sot në mesditë humbi betejën ndaj vdekjes, duke ndërruar jetë në mesin e miqve dhe familjarëve. Për ceremoninë mortore opinioni do të njoftohet me kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat