8 shqiptarë “ia hedhin” drejtësisë italiane

Kronikë e zezë

8 shqiptarë “ia hedhin” drejtësisë italiane

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 13:32

Edhe në drejtësinë italiane mund të dëgjosh çudira. Nga tetë shqiptarë që akuzoheshim se kanë qenë pjesë e një organizate kriminale që nga fundi i vitet ’90 deri në vitin 2002, për prostitucion, trafik të qenieve njerëzore dhe përdhunim, vetëm dy janë dënuar me 8 dhe 10 vjet burg secili, ndërsa 6 të tjerë janë lënë të lirë.

Bëhet fjalë për Ardjan Kostën dhe Gëzim Gaxhijën, të cilët më parë ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me nga 9 dhe 20 vjet heqje lirie për një sërë veprash kriminale në Itali.

Por ata kanë fituar pjesërisht betejën në Gjykatën e Apelit në Peruxhia. Në vendimin e apelit thuhej se ata dënohen vetëm për imigracion të paligjshëm, trafikim fëmijësh, prostitucion dhe jo për përfshirje në një organizatë kriminale.

Gjashtë shqiptarë të tjerë që akuzoheshin për të njëjtat vepra penale janë liruar në vend. Bëhet fjalë për shtetasit shqiptarë Nderim Salliu, Gëzim Bullari, Marko Kosta, Armand Aliu, Artan Aliu dhe Adriatik Suli.

Në vitin 2013 të tetë shqiptarët u dënuan në mungesë me 36 vite burg në total për akuzat e përdhunimit, torturës dhe detyrimit të ndërprerjes së shtatzënisë së disa prostitutave.

Megjithëse kundër tyre kishte mjaft fakte dhe dëshmi të disa vajzave të dhunuara dhe shfrytëzuara për prostitucion, Apeli nuk i ka marrë plotësisht parasysh.

Aktiviteti i tyre kriminal shtrihej në Latina, Seze, Peruxhia, Frosinone dhe Sparanise. Sipas prokurorisë, disa vajza shqiptare, maqedonase, moldave dhe rumune, disa prej të cilave të mitura, janë torturuar pa mëshirë, janë përdhunuar dhe janë detyruar të dështojnë me ndihmën e një gjinekologu italian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat