Kërcënoi me jetë gjyqtaren, 2 muaj burg për 18-vjeçaren

Kronikë e zezë

Kërcënoi me jetë gjyqtaren, 2 muaj burg për 18-vjeçaren

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 10:17

Një 18-vjeçare nga Puskuqani është dënuar me 2 muaj e dhjetë ditë heqje lirie, pasi 5 muaj më parë kërcënoi me thikë në sallën e gjyqit gjyqtaren Vjosa Zajmi.

E pandehura Miranda Çerpia së bashku me nënën e saj, Rabije Brahimi, i ishin drejtuar gjykatës së Tiranës për të kërkuar zgjatjen e afatit të mbrojtjes nga shtetasi Qamil Çerpia. Mirëpo kur kjo kërkesë është rrëzuar nga gjyqtarja Zajmi, vajza adoleshente që ndodhej në sallën e gjyqit ka nxjerrë një thikë nga çanta, dhe ka kanosur me jetë gjyqtaren.

Është dashur ndërhyrja e oficerit të policisë të qendrës ku strehohen gratë e dhunuara, që të shmangej situata e pakëndshme. 18-vjeçaria pasi kishte nxjerrë thikën ishte drejtuar nga gjyqtarja, duke e kërcënuar se do e vriste.

Në datën 26 qershor 2014 në sallën e Gjykatës së Tiranës, ku po zhvillohej procesi gjyqësor me palë kërkuese Rabije Brihmani dhe palë të tretë Qamil Çerpia me objekt vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes, gjatë zhvillimit të seancës Miranda Çerpia, vajza e shtetasit Qamil Çerpia, ka nxjerrë një thikë dhe me të ka kanosur gjyqtaren Vjosa Zajmi,e cila po kryesonte seancën.

Në këtë moment ka ndërhyrë punonjësi i policisë së qendrës së grave të dhunuara duke e marrë dhe nxjerrë nga salla të arrestuarën në flagrancë.

Pas kësaj shtetasja Miranda Çerpia është shoqëruar nga punonjësit e Komisariatit nr.2 Tiranë, dhe është kryer arrestimi në flagrancë i saj në datën 26.06.2014 ora 17:00 si e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja e gjyqtarit dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndaj saj është vendosur masa e sigurimit “arrest me burg”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat