Fakte tronditëse: Sinanaj kishte lidhje në policinë e Vlorës

Kronikë e zezë

Fakte tronditëse: Sinanaj kishte lidhje në policinë e Vlorës

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 08:36

I penduari i drejtësisë, në të ashtuquajturën 'banda e tritolit', Ndriçim Gjokona, nxjerr fakte tronditëse në dëshminë e tij dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda, për lidhjet e kriminelëve me struktura të caktuara të policisë. Sipas Gjokonës, vrasësi me pagesë Julian Sinanaj dhe të dyshuarit e tjerë, kishin lidhje të forta dhe me pushtet në policinë e Vlorës. Madje, Gjokona thekson se njëri prej punonjësve të policisë, ishte në dijeni të aktivitetit kriminal të Julian Sinanajt.
"Denoncimin unë kërkoja ta bëja qysh një vit më parë, pikërisht pas vrasjes së Sokol Veizit, por nuk arrita ta bëja këtë, sepse konstatoja se ata ishin lidhur me persona në pushtet në policinë e Vlorës. Njërin prej tyre unë e njihja fizikisht sepse ai takohej shpesh me Julianin dhe kushëririn e Andonit, që quhet X. Për këtë person Juliani më kishte treguar se ai kishte dijeni për aktivitetin e tij", shprehet i penduari i drejtësisë.

Mandej, ai rrëfen për ofertën që i pandehuri Marion Mitro, i ka bërë brenda në qelitë e burgut, duke i kërkuar të dëshmonte në favor të tij.

"Në lidhje me ngjarjen e vendosjes së tritolit në pallatin e Ardian Kollozit, unë nuk kam dijeni se kush e ka kryer atë. E kujtoj mirë si ngjarje, kur ajo ka ndodhur pasi unë kam qenë në shtëpinë time që kam pasur me qira pranë lokalit "X". Pasi kam dëgjuar shpërthimin e ndodhur tek pallati i Ardian Kollozit, kam dalë në ballkon dhe kam parë se në ballkon, kishin dalë dhe persona të tjerë".

"Të nesërmen në mëngjes, nëpërmjet lajmeve kam mësuar se ajo ishte vendosur tek hyrja e apartamentit të pallatit të Ardian Kollozit. Atë mëngjes unë jam takuar me Julian Sinanajn, kur në momentin që kemi kaluar pranë pallatit, unë i jam shprehur Julianit 'që çfarë po ndodh këtu, çfarë bëjnë këto r..q... se do na marrin në qafë, do na djegin", ku mbas kësaj vërejta një farë shtangie nga Juliani dhe marrjen e qëndrimit serioz të tij. Mbas këtij momenti pashë se ai në raport me mua ndryshoi qëndrim dhe u bë më i egërsuar. Ai mu drejtua duke më thënë "ç'punë ke ti që shan, kush e di si e kanë pasur problemin, nuk bën njeri kot gjëra të tilla, pa pasur një motiv".

"Në atë moment, unë dyshova se mos vetë ai ishte autor i kësaj ngjarje, pasi prej tij kisha mësuar se ai ishte ekspert në përdorimin e lëndëve eksplozive. Po të njëjtin qëndrim, ai vazhdoi të mbante edhe ndaj meje në momentin që jemi ulur për të pirë kafe, përballë ëmbëltore "R...", që ndodhet pranë pallatit të Ard Kollozit. Gjithashtu, unë dyshova tek Juliani, pasi aty pranë atij pallati ai jetonte me qira, në një pallat tjetër që ishte në të njëjtin bllok pallatesh, apartament të cilin e kishte marrë së fundi me qira, banesë tek e cila unë nuk kam qenë në asnjë rast".

Prokurorët: Cilat janë banesat për të cilat keni dijeni që Julian Sinanaj ka jetuar në qytetet, Vlorë, Tiranë dhe Durrës?
Gjokona: Me shtetasin Julian Sinanaj, unë jam njohur diku nga mesi i vitit 2011, kohë në të cilën sipas bisedave me të, kam mësuar se ai kishte ardhur nga Greqia, ku atje kishte jetuar për një kohë të gjatë familjarisht. Gjatë kohës që ai qëndronte në Vlorë, marrëdhëniet mes nesh nuk kanë qenë fort të ngushta. Unë ndaj këtij personi kam qëndruar i larguar, pasi prej tij mu kërkua që të bëja ndonjë grabitje së bashku me të. Gjatë kohës që shoqëria dhe qëndrimi ndërmjet nesh, filloi të afrohej unë në biseda me të unë kam mësuar se ai jetonte me qira në Skelë, pranë vilës së "X". Kam dijeni se ai shpesh herë ndërronte apartamentet, për të cilat nuk me tregonte vendndodhjen e tyre, pasi nuk ofronte shoqërinë e tij në shtëpi. Nuk kam dijeni se ku ka qëndruar me qera në qytetin e Durrësit, por prej tij më është thënë se ai kishte dy apartamente të tijat, të cilat i kishte blerë në Durrës, me fitimet e marra gjatë viteve që jetonte në Shqipëri. Ndërsa në Tiranë, di që ka pasur tre apartamente me qera. Nga ana e Julianit më është treguar se në njërin nga apartamentet e Tiranës, ai mbante armët, në tjetrin jetonte dhe një apartament e kishte marrë në afërsi të bankave, sepse kërkonte ta përdorte, për strehim mbas kryerjes së grabitjeve të tyre.

Prokurorët: Cili ishte rrethi shoqëror i Julian Sinanaj gjatë viteve që ju njiheni me të?
Gjokona: Kam dijeni se Julian Sinanaj, shoqërohej me mua, me Andon Mëhillajn, Genis Mëhillajn dhe në Tiranë, shoqërohej me vëllain e të fejuarës, emri i të cilit nuk më kujtohet. Krahas personave të mësipërm unë Julianin e kam parë të shoqërohej edhe me L., i afërm i Andon Mëhillaj, me Marionin, që kam mësuar se ka mbiemrin Mitro, me E.L, dhe djalin e dajës së tij. Me këta persona, më ka qëlluar dhe mua në shumë raste që të takohesha dhe të pija një kafe me ta, ku me disa prej tyre, edhe kemi drekuar.

Prokurorët: Kur në ç'kohë keni parë shoqërimin e Julian Sinanaj me shtetasin Marion Mitro dhe çfarë i lidhte në shoqëri këta dy shtetas ndërmjet tyre?
Gjokona: Afërsisht një vit pas vrasjes së Sokol Veizit dhe direkt pas prishjes së marrëdhënieve të Julian Sinanaj me Andon Mëhillajn, kam parë se Genis Mëhillaj së bashku me Marion Mitron, në prezencën time janë takuar në dy tri raste. Rasti i parë ka qenë pranë Shkollës së Marinës, në barin e një hoteli, ku në këtë takim ka qenë Marion Mitro, Genis Mëhillaj, Julian Sinanaj dhe unë. Të katërt kemi qëndruar në një tavolinë dhe pasi kemi pirë kafe nga ana e tyre më është kërkuar që unë të largohesha nga tavolina e tyre, sepse kishin një bisedë të tre, për të cilën unë nuk duhet të kisha dijeni. Mbas këtij takimi nga ana e Julianit, më është thënë se qëllimi i takimit ishte që të zbusnin konfliktin e Julianit me Andonin. /BW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat