Gjirokastër, digjet banesa e Musine Kokalarit

Kronikë e zezë

Gjirokastër, digjet banesa e Musine Kokalarit

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 23:55

Një zjarr aksidental ka djegur banesën e lindjes së disidentes Musine Kokalari në lagjen “Palorto” në qytetin e Gjirokastrës.

Flakët e zjarrit janë shfaqur në orën 20:10 në mjediset e brendshme të shtëpisë në pronësi të Yzeir Cefës, ndërkohë që brenda pak minutash kanë përfshirë të gjithë banesën e gurtë trikatëshe.

Pesë prestarët e familjes, pasardhës të Musine Kokalarit, që jetonin aktualisht në shtëpi kanë mundur të dalin duke iu shpëtuar flakëve. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e policisë, ato zjarrfikëse të cilët të ndihmuar edhe nga banorë të lagjes, kanë tentuar të shuajnë zjarrin. Por për shkak të dyshemeve dhe tavaneve prej druri në brendësi të banesës, flakët brenda pak minutash kanë përfshirë të gjitha katet duke e shkrumbuar shtëpinë.

Kjo banesë mbarte vlera historike dhe ndërtimore. Në këtë shtëpi kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme disidentja Musine Kokalari, ndërkohë që shtëpia kishte edhe një profil të veçantë të ndërtimeve tradicionale me gur dhe dru. Vitet e fundi pasardhësit e familjes Kokalari të mbështetur me fonde edhe nga Bashkimi Europian kishin nisur restaurimin e shtëpisë për ta kthyer atë në një muze.

Dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike në rrjetin e brendshëm të shtëpisë ndërkohë që vazhdojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e shkakut të kësaj vatre zjarri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat