Italiani prej një vit i zhdukur, u njoh me një shqiptare përmes internetit

Kronikë e zezë

Italiani prej një vit i zhdukur, u njoh me një shqiptare përmes internetit

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 16:58

Historia e dashurisë mes një italiani dhe një shqiptare duket të ketë shkuar keq, aq saqë italiani të jetë zhdukur. Ngjarja në fjalë ka për protagonist 43-vjeçarin Ivan Angelo Peganin i cili pasi vjen në Shqipëri për të takuar dashurinë e jetës, humbet gjurmët dhe për të nuk dihet më asgjë që prej një viti.

Historia tij e dashurisë me një shqiptare të quajtur Alba e sjell më 2 qershor të 2013-ës, 43-vjeçarin Ivan Angelo Peganin në Shqipëri, nga ku do të humbiste edhe gjurmët. Familjarët e italianit nuk e kanë parë më prej më shumë se një viti dhe tashmë çështja e tij duket në një rrugë pa kthim.

Pegani thuhet ta ketë njohur Albën në prill të vitit të kaluar nëpërmjet internetit dhe pas bisedash të stërgjata ai kishte vendosur ta takonte. Kështu bëri. Brenda atij muaji Pegani thuhet të ketë kaluar 5 ditë në Tiranë dhe gjatë këtyre ditëve të jetë dashuruar plotësisht me shqiptaren, për të cilën mediat italiane nuk raportojnë më shumë sesa emri. Pegani dashurinë e tij thuhet ta kishte vendosur për ta kurorëzuar në martesë, pikërisht për këtë gjë sipas asaj çka thuhet nga mediat italiane ai kishte marrë edhe një shtëpi me qera.

Por diçka më pas shkoi keq. Pegani thuhet t’i ketë thënë së motrës se gruaja që ai dashuronte e kishte mashtruar, pasi tanimë i fliste tërësisht ndryshe, por pavarësisht këtij rrëfimi ai niset sërish në Shqipëri. Më 15 qershor me një biletë vajtje-ardhjeje të parashikuar për më datë 23 të atij muaji, 43-vjeçari ishte nisur për në Shqipëri nga ku nuk është kthyer më, të paktën fizikisht jo. “Të paktën fizikisht jo” pasi sipas policisë shqiptare emri dhe mbiemri i Peganit rezultojnë të kenë qenë më 23 qershor në listën e pasagjerëve të linjës Durrës-Bari, por ky fakt përgënjeshtrohet nga policia italiane si dhe nga vetë familjarët e 43-vjeçarit, të cilët nuk e kanë parë më kurrë.

Sipas asaj çka raportohet nga mediat italiane tashmë personi kyç që mund t’i japë zgjidhje kësaj historie është vetëm shqiptarja e quajtur Alba, e cila ka dhënë disa deklarata kontradiktore. Në emisionin “Chi l’Ha Visto” Alba ka thënë se nuk e ka parë Ivan Angelo Peganin, ndërsa motrës së tij, një vit më parë nëpërmjet një bisede përmes “Skype”-it ajo i ka thënë se e ka takuar më 18 qershor (2013). Çështja e 43-vjeçarit vazhdon të jetë e pazgjidhur teksa ajo është ngritur edhe në Parlament si dhe në emisionin “Chi l’Ha Visto”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat