Shkon të strehohet te shoqja në Fier, burri i saj e përdhunon 2 herë

Kronikë e zezë

Shkon të strehohet te shoqja në Fier, burri i saj e përdhunon 2 herë

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 17:52

Historia dramatike e një të reje nga fshati Vlosh i Fierit, e cila për të mbijetuar e vetme në rrugë është përballur me dhunë seksuale, fizike e psikologjike Tentativa e arratisjes së një 19-vjeçare, e cila donte të zhdukej nga jeta që bënte, e ka çuar atë në duart e një personi, të cilin e akuzon se e ka përdhunuar dy herë, por pas arratisjes prej tij, ajo ka mundur të gjejë paqe me veten, duke bërë një martesë të fshehtë me një person të verbër, me të cilin jeton edhe sot. Historia zë fill pak muaj më parë në qytetin e Patosit, ndërkohë që prokuroria, e cila ka kryer hetimet, ka dërguar në gjykatë të pandehurit, të cilin e akuzon për përdhunim. Vajza e re, e cila tashmë bashkëjeton me personin e verbër, ka rrëfyer gjithçka për policinë, duke shpjeguar jetën e saj që nga vdekja e nënës dhe braktisja nga babai, mënyrën e arratisjes nga i fejuari, njohjen me gruan e përdhunuesit, e cila e strehoi në shtëpi dhe e prezantonte si mbesën e vet dhe ndihmën që i dha një shoqe e strehueses për të gjetur të riun, me të cilin bashkëjeton.

Përdhunimi i parë

Prokuroria e Fierit ka dorëzuar në gjykatë dosjen hetimore në ngarkim të 55-vjeçarit Stefan Dulaj nga qyteti i Patosit, banor i lagjes “29 Marsi”, pasi akuzohet për përdhunim të 19-vjeçares. Pas hetimit gjashtëmujor, prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura”, megjithëse ai nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se nuk është i aftë të kryejë marrëdhënie seksuale. Historia zë fill më 15 qershor të këtij viti, kur 19-vjeçarja E. M. është paraqitur në Komisariatin e Fierit, ku ka kallëzuar faktin se në javën e parë të atij muaji, Stefan Dulaj ka kryer marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj, duke ushtruar dhunë fizike e psikologjike. Ajo ka shpjeguar para hetuesve se ka qenë e fejuar me B. M., një të ri nga qyteti i Patosit, nga shtëpia e të cilit është larguar dy muaj para ngjarjes. Denoncuesja ka pohuar se pasi është larguar nga i fejuari, për motivet e saj, ka qëndruar tek disa vajza, që i ka njohur nëpërmjet rrjetit social Facebook. Javën e parë të qershorit ka takuar bashkëshorten e të pandehurit, D. Dulaj, së cilës i ka kërkuar që të qëndrojë për disa kohë në shtëpinë e saj, në lagjen “29 Marsi” në Patos. Në shtëpi ajo jetonte me të shoqin Stefan Dulaj, nipin dhe mbesën e tyre, të moshës përkatësisht dy e tre vjeç, si edhe një shoqe që i thërrasin me pseudonimin Noku (H. L.). Që natën e parë, asaj nuk i ka pëlqyer shoqëria e re dhe të nesërmen ka kërkuar të largohet, por Stefan Dulaj nuk e ka lejuar, duke kërkuar me ngulm që ajo të qëndrojë. Në mbrëmje, ajo ka fjetur në të njëjtën dhomë me dy fëmijët e mitur. Rreth orës 02:00 të mëngjesit, në dhomën ku flinte kallëzuesja, ka shkuar i pandehuri, i cili i ka kërkuar që të pinin nga një cigare e të bisedonin. Ajo nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë dhe ai, pasi ka mbyllur derën e dritaren, i ka kërkuar që të shkonin së bashku në Greqi për një jetë më të mirë. Por edhe këtë ofertë e reja e ka refuzuar. Sipas 19-vjeçares E. M., në ato momente, i pandehuri ka nisur ta ngacmojë duke e prekur në pjesë intime. Në këto rrethana, ajo e ka kundërshtuar duke ia larguar duart me forcë, por sipas denoncueses, i akuzuari e ka qëlluar me pëllëmbë. Ajo ka shpjeguar se në këtë moment ka bërtitur por dhunuesi i ka zënë gojën me dorën e tij e me forcë ka kryer marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj. Ai e ka kërcënuar që të mos i tregonte askujt për atë që kishte ndodhur mes tyre, duke përfshirë këtu edhe emrin e bashkëshortes së tij.

Përdhunimi i dytë

Në mëngjes denoncuesja i ka bërë me dije Stefanit dhe bashkëshortes së tij se do të largohej, por ata kanë insistuar të qëndronte, duke i thënë se mund të rrinte si në shtëpinë e saj. Pas kësaj, personat e tjerë të familjes janë larguar dhe denoncuesja ka mbetur vetëm me Stefanin në shtëpi. Sipas prokurorisë, në këto kushte i pandehuri ka mbyllur derën e jashtme e të brendshme të shtëpisë me çelës dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me forcë, ku veç të tjerash e ka kapur edhe për fyti të dëmtuarën.

Arratisja

Më pas, kur Stefani ka qenë në tualet, kallëzuesja ka gjetur çelësin e shtëpisë dhe në momentin që po largohej është kthyer bashkëshortja e të pandehurit së bashku me shoqen e saj H. L. Pasi këto dy të fundit i janë lutur që të qëndronte, e dëmtuara është kthyer sërish në shtëpi. Por pavarësisht se ka qëndruar aty edhe atë natë, nuk i ka treguar askujt se çfarë kishte ndodhur. Të nesërmen Stefani dhe bashkëshortja e tij, D. D. janë larguar nga shtëpia, pasi kishin gjyqin e vajzës dhe denoncuesja ka mbetur aty vetëm me dëshmitaren H. L. Duke diskutuar me njëra-tjetrën H. L. i ka thënë së dëmtuarës se duhej të largohej nga kjo shtëpi dhe njëkohësisht i ka sugjeruar lidhjen me djalin e një shoqes së saj në Fier, e cila quhej K. M. Pasi janë kthyer, Stefani dhe bashkëshortja e tij, e dëmtuara së bashku me H. L. ka shkuar në Fier te shtëpia e dëshmitares K. M. Denoncuesja ka shpjeguar se te shtëpia e dëshmitares K. M. ka qëndruar tre ditë ku ka kryer marrëdhënie seksuale me D. M. me dëshirën e saj. Gjatë qëndrimit në Fier, Stefan Dulaj e merrte në telefon dhe kërkonte të kthehej përsëri, duke e kërcënuar. Në këto rrethana denoncuesja është paraqitur në polici ku edhe ka kryer kallëzimin përkatës.

Autori i denoncuar e mohon

Ndërkohë që ndaj të pandehurit Stefan Dulaj prokuroria ka siguruar një sërë provash për të vërtetuar fajësinë e tij, 55-vjeçari nuk e ka pranuar akuzën duke pretenduar se gjithçka është një sajesë e denoncueses. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka pranuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me shtetasen E. M., pasi, sipas tij, nuk është i aftë ta bëjë një gjë të tillë. Thekson se ka qenë dëshira e kallëzueses E. M., për të kryer marrëdhënie seksuale, por ai nuk ka mundur për arsyen e përmendur më sipër.

Gruaja e të denoncuarit

Nga shpjegimet që bashkëshortja e të pandehurit ka dhënë para hetuesve është mësuar se në muajin qershor të këtij viti i ka folur në rrugë një vajze të re, e cila është prezantuar me emrin Enxhi dhe i ka kërkuar që ta strehonte në banesën e saj. Ajo ka pohuar se ka pranuar ta marrë në banesë 19-vjeçaren dhe e ka trajtuar si fëmijët e vajzës së saj. “Aty ka qëndruar 3-4 ditë dhe ka fjetur me fëmijët e kësaj të fundit, në dhomë më vete”, ka pohuar dëshmitarja D.D.. Por, ajo ka theksuar se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur mes bashkëshortit të saj dhe së dëmtuarës. Ndërkohë, ka shtuar se pasditen e 12 qershorit, e reja është larguar nga banesa e saj dhe nuk është kthyer më.

Martesa e fshehtë

Ndërsa dëshmitarja tjetër, K.M. ka shpjeguar se më datë 12 qershor është telefonuar nga shoqja e saj H.L. e cila i ka thënë se i kishte gjetur një vajzë për djalin e saj. Ajo ka komunikuar paraprakisht me vajzën dhe i ka bërë me dije se djali i saj është i verbër. Pavarësisht nga ky fakt, e dëmtuara ka pranuar dhe bashkë me N. L. ka shkuar rreth orës 16:30 tek banesa e saj. Në bisedë me të vajza është prezantuar me emrin Enxhi dhe ka mësuar se nëna i kishte vdekur e se e kishte braktisur i ati. Ka pranuar të bëhet nusja e djalit të saj dhe ka premtuar se nuk do të largohej asnjëherë. Më pas, dëshmitarja K. M., ka pohuar se ka dalë në treg ku i ka blerë edhe rroba nuses së djalit të saj.

Kërcënimi ndaj vajzës

Më tej, dëshmitarja K. M. ka theksuar se kur e dëmtuara ka qenë në shtëpinë e saj i ka telefonuar Stefan Dulaj, me të cilin ka komunikuar edhe vetë. Ajo ka shpjeguar se në bisedë e sipër Stefani i ka thënë se e ka dashur atë vajzë e se do të shkonin së bashku në Greqi. Po kështu i ka thënë se kishte foto nudo të saj në telefonin e tij që vërtetonte se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të dhe se shenjat që kishte në trup ia kishte shkaktuar ai. Pas këtyre kërcënimeve, dëshmitarja K.M. së bashku me të dëmtuarën kanë shkuar në polici dhe kanë kryer kallëzimin përkatës.

Babai i vajzës

Prokuroria ka marrë edhe deklarimet e babait të së dëmtuarës, F. M. banor i fshatit Vlosh në Rrethin e Fierit. Ai ka shpjeguar se e dëmtuara E. M. është vajza e tij dhe se ajo ka qenë e fejuar me një djalë nga Patosi. Ndërkohë ka shtuar se tre muaj më parë vajza është larguar nga shtëpia e të fejuarit pa dijeninë e tyre dhe pa lënë asnjë adresë. Më tej dëshmitari F.M. ka pohuar se së bashku me dhëndrin kanë kërkuar ta gjejnë, por nuk kanë mundur. Ndërsa dëshmitarja H. L., e cila është edhe shkuesja e lidhjes së të dëmtuarës me D. M. nga Fieri, ka deklaruar se kur ka qenë te banesa e të pandehurit ka takuar një vajzë të cilën shoqja e saj D. D. e kishte prezantuar si mbesën e saj. Por të nesërmen kur po dilte nga banesa, e dëmtuara i ka kërkuar ndihmë duke i thënë se aty e keqtrajtonin dhe se bashkëshorti i D.D., Stefan Dulaj e kishte përdhunuar. Pasi ka dëgjuar 19-vjeçaren, dëshmitarja H.L. i ka premtuar se do ta çonte te shoqja e saj, e cila ka një djalë dhe po t’i pëlqente, të martohej me të. E dëmtuara ka pranuar dhe kanë shkuar te K. M. në qytetin e Fierit ku është njohur me djalin e saj dhe ka rënë dakord që të qëndrojë aty. Nga burime të gazetës mësohet se kallëzuesja vazhdon të jetojë me djalin e dëshmitares K. M. në qytetin e Fierit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat