Vodhën energjinë, 12 persona në pranga, 5 në kërkim

Kronikë e zezë

Vodhën energjinë, 12 persona në pranga, 5 në kërkim

Më: 19 nëntor 2014 Në ora: 21:58

TIRANË - Vijuan edhe ditën e sotme aksionet mes Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike dhe vënien para drejtësisë së abuzuesve.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren, në abonentët biznes dhe familjarë, 12 persona u vunë në pranga pasi akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, si dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë.

Policia deklaron se 3 pronarë biznesesh u arrestuan në flagrancë, për rilidhje të paligjshme të energjisë elektrike për herë të dytë.

Në të gjithë vendin kanë vepruar 83 grupe të përbashkëta Polici-OSHEE, të cilat kryen kontrolle në përbashkëta në 1.376 raste.

Sipas deklaratës së policisë pas kontrollit u ndërprenë 951 lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe abonentëve debitorë.

“Gjatë ditës së sotme janë kontrolluar 183 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen me energji elektrike nga këto kabina, si dhe janë ushtruar kontrolle edhe në kabinat e kontrolluara më parë, ku u konstatuan 3 rilidhje të paligjshme për herë të dytë”, deklaron Policia e Shtetit.

Kjo e fundit lajmëron se do të vijojë kontrollet kabinë më kabinë, tek çdo abonent biznes apo familjarë, si dhe do rikontrollojnë përsëri zonat e kontrolluara më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat