“E vrava për të vënë në vend nderin e motrës”

Kronikë e zezë

“E vrava për të vënë në vend nderin e motrës”

Më: 19 nëntor 2014 Në ora: 14:38

Autori i vrasjes së 25-vjeçarit në fshatin Hajdaraj të Kavajës rrëfen arsyet e krimit. Betim Buçi, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Shkëlzen Kala, ka pohuar se e ka kryer vrasjen për të vënë në vend nderin e motrës së tij. Gjatë seancës së marrjes në pyetje, autori i vrasjes ka thënë se Kala i përgojonte motrën e tij, duke thënë se kishte pasur marrëdhënie intime me të dhe se fëmija që ajo priste ishte i tij.

"Nuk mund ta duroja më Shkëlzenin. Vendosa që ta vrisja. E qëllova për vdekje teksa ishte në gjumë dhe kallashnikovin me të cilin e vrava e lashë sipër krevatit ku po flinte", ka thënë 17-vjeçari. Uniformat blu ndërkohë bëjnë me dije se bashkëpunëtor në krim ka qenë edhe 27-vjeçari Elton Hoxha i cili ishte punëdhënës i viktimës.

Hoxhës i janë gjetur në banesë 2 armë kallashnikovë, njëra prej të cilave dyshohet se është përdorur në krim nga 17-vjeçari Buçi, pavarësisht se ky i fundit ka pohuar se vrasjen e kishte planifikuar ai dhe se asnjë person tjetër nuk ishte në dijeni. Sipas burimeve policore dyshohet se arma e gjetur në banesën e Hoxhës të jetë larguar nga vendi i krimit nga vetë 27-vjeçari. Nga hetimet e kryera rezulton se adoleshenti Buçi e ka kryer vrasjen në orët e para të mëngjesit të së dielës. Buçi akuzohet akuzohet për "Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit" , ndërsa 27-vjeçari Elton Hoxha akuzohet për bashkëpunim në krim, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Dëshmia e të dyshuarit dhënë në polici

HETUESI: E njihje viktimën Shkëlzen Kala?

BETIM BUÇI: Njiheshim me Kalën, pasi jemi nga i njëjti fshat. Jemi konfliktuar shumë herë, pasi ai ka ngacmuar motrën time. Ajo tani është e martuar, është në derë të burrit dhe pret një fëmijë. Është në prag lindjeje. Shkëlzeni gjithmonë më hidhte fjalë, duke më thënë se kishte shkuar me motrën time. Këtë unë nuk mund ta duroja.

HETUESI: Çfarë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, më 16 nëntor?

BETIM BUÇI: Unë kam vëzhguar të gjitha lëvizjet që bënte Shkëlzeni. Atë natë (të shtunën), rreth orës gjashtë të darkës shkova tek godina ku Shkëlzeni ishte punësuar si roje dhe që është në pronësi të Eltonit. Më pas e kam ruajtur kur ka ngrënë darkë dhe ka pirë gati një litër raki. Ai qëndronte në katin e dytë të objektit (lokal e banesë në ndërtim e sipër). Gjatë atyre orëve unë kam qenë roja i tij. Kishte ditë që e kisha menduar dhe planifikuar që do ta vrisja, pasi nuk duroja dot më.

HETUESI: Si ndodhi vrasja?

BETIM BUÇI: Unë kisha marrë një kallashnikov me disa plumba që të kryeja vrasjen. E pashë kur Shkëlzeni fiku dritën dhe ra të flinte rreth orës 23:00. Më pas hyra në ndërtesë, duke thyer një xham në katin e parë që shërben si lokal, dhe u ngjita në katin e dytë, aty ku ishte shtrirë e flinte Shkëlzeni. Unë e dija që ai ishte shumë më i fuqishëm se unë dhe nuk mund t'i bëja dot gjë. Prita që ta zinte gjumi. Shkëlzeni nuk e priste që unë do t'i shkoja aty me armë. E qëllova për vdekje kur ishte në gjumë. Gjuajta dy herë ndaj tij. Plumbat e kanë zënë në kurriz. Edhe kur kam dalë tek dera kam shtënë prapë në drejtim të tij.

HETUESI: Sa ka qenë ora kur ndodhi vrasja?

BETIM BUÇI: Duhet të ketë qenë rreth 1 e natës (mëngjesin e së dielës).

HETUESI: Po më pas?

BETIM BUÇI: Di që jam tronditur nga çfarë ndodhi. Kallashnikovin me të cilin e vrava e hodha mbi shtratin e tij. Më pas ika me vrap nëpër errësirë dhe shkova në shtëpinë time. Rashë për të fjetur. Asnjë në shtëpi nuk e dinte se ku isha unë.

HETUESI: Ti e kishe planifikuar vetëm apo me Eltonin vrasjen?

BETIM BUÇI: Vetëm. Pa njeri tjetër.

HETUESI: Vure në dijeni njeri për atë që ndodhi?

BETIM BUÇI: Jo, asnjë nuk e dinte që e kisha vrarë unë. Nuk i thashë askujt, dhe për më tepër që të nesërmen ishte pushim e nuk kishim as shkollë.

HETUESI: Pse e vrave bashkëfshatarin tënd Shkëlzen Kalën?

BETIM BUÇI: Ju thashë se nuk e duroja dot më. Ma kishte sjellë në majë të hundës. Pasi ka dalë nga burgu, ai më ka dërguar mesazhe në 'Facebook' çdo natë. Më thoshte se e donte motrën time dhe se fëmijën e kishte me Shkëlzenin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat