Xhuvani, 4 të vrarë pas një shpulle të Jahos

Kronikë e zezë

Xhuvani, 4 të vrarë pas një shpulle të Jahos

Më: 19 nëntor 2014 Në ora: 10:14

Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për vrasjen e katër personave me 4 nëntor të këtij viti, krim për të cilin tashmë siç dihet akuzohet Kostandin Xhuvani, djali i ish- deputetes socialiste Luiza Xhuvani. Sipas hetimit të Prokurorisë, Xhuvani është përgjegjës për vrasjen e 4 personave mëngjesin e 4 nëntorit në lokal “Ante Grand”, në rrugën e Elbasanit, në pronësi të Xhelo Vasjarit. Ngjarja dyshohet se ndodhi, pasi një prej viktimave, Edi Jaho, qëlloi me pëllëmbë në banak, një nga personat me të cilët shoqërohej Xhuvani në momentin e ngjarjes. Në ngjarje mbetën të vrarë, Edi Jaho, miku i tij, Enea Xhaj, tregtari italian Xhamapaolo Azola, si dhe miku i Xhuvanit, Arbër Demiraj, djali i ish- kryeprokurorit të Apelit të Tiranës, Arbër Demiraj. Sipas hetimit të prokurorisë, pas konfliktit Xhuvani, ka dalë nga lokali bashkë me djalin e ish- prokurorit dhe pas pak momentesh ata janë futur në lokal me armë në duar, ndërsa Xhuvani qëlloi në drejtim të Jahos dhe Xhajit. Nga të shtënat mbetën të plagosur rëndë dhe më pas vdiqën edhe Xhamapaolo Azola, si dhe miku i Xhuvanit, Arbër Demiraj. Të dy këta dyshohet se janë vrarë aksidentalisht sipas prokurorisë.

Hetimi

Në datë 04.11.2014 në Prokurorinë e Tiranës, mbi bazën e këqyrjes së vendit të ngjarjes u regjistrua procedimi penal nr.8078 për veprar penale tw “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” nw ngarkim tw Kostandin Xhuvanit i biri i Gjergjit dhe Luizës 25 vjeç, i dënuar më parë Me datë 04.11.2014 rreth orës 04.20 salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u njoftua se në Rrugwn e Elbasanit në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur. Autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr.1, qw ishte pranw shkoi te lokali dhe në rrugën kryesore konstatoi një automjet Mercedez ML me targa TR0250N në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip Benz ML dhe në këtë moment një person i veshur me kostum tuta gri doli nga mjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë. Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Gjergj Xhuvani i datëlindjes 24.06.1989. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se: Vendi i ngjarjes është Bar “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes është konkretisht lokali i sipërcituar i cili është një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyre në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkallëve janë gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jahajt dhe Enea Xhajt. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë model 54 me numër 14053073 me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62mm.

Gjithashtu në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të çrregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara. Nga këqyrja e këtij ambientit janë gjetur fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të rrugës së Elbasanit përballë hyrjes se lokalit është gjetur një automjet me targa TR0250N me dyer të hapura dhe në ndenjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj. Po kështu në distancë 52 metra nga hyrja e lokalit ne oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur ne tokë një armë zjarri pistoletë model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike me krehër të vendosur dhe pa fishekë. Vendi ku është gjetur pistoleta korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i shtetasit Kostandin Xhuvani. Nga aktet hetimore ka rezultuar Kostandin Xhuvani , Arbër Demirajt, Erald Side e Alban Ballçaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij e cila rezulton të ishte pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballçaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka patur një konflikt. Gjatë këtij konflikti shtetasit Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj kanë patur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku, roje sigurie në lokal shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas ka vdekur në spital edhe shtetasi italian Xhampaolo Acola (Giampaolo Azzola).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat