Vrau shokun një vit më parë, arrestohet i shumëkërkuari

Kronikë e zezë

Vrau shokun një vit më parë, arrestohet i shumëkërkuari

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 11:26

Një person i shpallur në kërkim për vrasje është arrestuar mbrëmë nga policia e Tiranës, në zonën e Qytetit Studenti në kryeqytet. Në prangat e policisë ka rënë Albano Milori nga Korça. Sipas policisë, Milori ishte i shpallur në kërkim pasi akuzohet se më 2013-ën, ka vrarë me armë zjarri në Drenovë 37-vjeçarit, Vaskë Lito. Vrasja e e tij sipas të arrestuarit mësohet se kishte ndodhur pas një grindje të çastit. Lidhur me rastin në fjalë, Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Milorin, i cili pas krimit ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Arrestimi i tij ka ndodhur në Qytetin Studenti në kryeqytet, nga ana e policisë së Tiranës.

Ngjarja për të cilën bëhet fjalë ka ndodhur në ambientet e një lokali në fshatin Drenovë të Korçës, ku Lito u qëllua me breshëri automatiku dhe menjëherë pas krimit, autori u largua nga vendi i ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve nëvendin e ngjarjes, policia ka mundur të identifikojë si të dyshuar për këtë krim atëherë, 25-vjeçarin, Albano Milori, i cili është banor i Korçës. Policia tha se ka ushtruar kontroll në banesën e 25-vjeçarit, por nuk kishte mundur të bjerë në gjurmët e tij. Burimet e policisë lokale bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në qendër të fshatit. 37-vjeçari Lito, kishte rreth një vit që ishte transferuar me banim në kryeqytet, por atë natë kishte udhëtuar drejt vendlindjes për shkaqe të panjohura.

Në orët e mbrëmjes, ai ka qenë i vetëm në një tavolinë të lokalit, ku po shikonte një ndeshje, ndërkohë që në të njëjtat ambiente ndodheshin rreth 15 persona të tjerë, banorë të fshatit, të cilët janë shoqëruar në polici. Por, gjatë gjithë qëndrimit të tij në lokal, ai nuk ka folur me asnjë derisa nga jashtë ka ardhur një person, i cili me një automatik në dorë ka qëlluar ndaj tij dhe është larguar me vrap.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat