“Polici më vonoi, vajza vdiq për shkakun e tij”, prangoset për njoftim të rremë

Kronikë e zezë

“Polici më vonoi, vajza vdiq për shkakun e tij”, prangoset për njoftim të rremë

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 11:19

Qani Kapllani, nga Rrogozhina, pretendoi dje se po denonconte veprimet abuzive, që sipas tij ka kryer një punonjës i Policisë Rrugore, Kavajë, ndërsa dha një intervistë në një televizion në Tiranë. 50-vjeçari, Qani Kapllani, pretendonte në dëshminë e tij se më datën 24 tetor, po transportonte drejt Tiranës, me një mjet me targe AA 216 CY një 17 vjeçare të vetëhelmuar me fostoksinë. Sipas tij, në rrugë, është ndaluar nga punonjësi i Policisë Rrugore, i cili e ka bllokuar për 15 minuta.

Kapllani pretendoi se punonjësi i policisë ka demonstruar veprime jo profesionale dhe mungesë të etikës njerëzore, dhe se vonesa e shkaktuar prej tij, ishte një nga shkaqet për vdekjen e shtetases me inicialet R.M. Mirëpo, menjëherë pas denoncimit publik që ka bërë Kapllani, ai është shoqëruar në policinë e Kavajës për të dhënë sqarime mbi dëshminë dhe rrethanat e ngjarjes dhe më pas edhe është arrestuar. Policia e Shtetit ka reaguar fill pas prangosjes së tij duke bërë me dije se nga verifikimet e kryera, rezulton që shtetasi denoncues ka gënjyer publikisht në lidhje me faktet e ndëshkimit të tij nga shërbimi i Policisë Rrugore.

Referuar fakteve që u publikuan më pas nga policia saktësohet se në fakt Kapllani gënjen, pasi të dëmtuarën, e cila më pas fatkeqësisht nuk ka mundur t`i mbijetojë helmimit e ka sjellë në spital një ambulancë dhe jo denoncuesi. Policia ka verifikuar edhe momentin e ndalimit të Kapllanit, pasi është identifikuar punonjësi i Policisë Rrugore që e ka ndaluar duke hedhur dritë mbi momentin e kontrollit të dokumentacionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat